Gjykata kineze vendos precedentin: Punëtorët nuk mund të shkarkohen për t’u zëvendësuar nga AI

Një gjykatë në Kinë ka vendosur në favor të një punonjësi në një mosmarrëveshje pune të shkaktuar nga zëvendësimi i tij me Inteligjencë Artificiale, në një vendim që konsiderohet si precedent i rëndësishëm për të drejtat e punëtorëve në epokën e automatizimit.
Rasti është shqyrtuar nga Gjykata Popullore në Hangzhou, një nga qendrat kryesore të zhvillimit të teknologjive të Inteligjencës Artificiale në Kinë.
Punonjësi, i identifikuar me mbiemrin Zhou, kishte nisur punë në vitin 2022 si mbikëqyrës i kontrollit të cilësisë në një kompani teknologjike, me një pagë mujore rreth 25 mijë juanë. Detyra e tij përfshinte verifikimin e përgjigjeve të modeleve të inteligjencës artificiale dhe filtrimin e përmbajtjeve sensitive.
Më vonë, kompania zëvendësoi pjesërisht funksionet e tij me sisteme AI dhe i ofroi një pozicion tjetër me pagë më të ulët, të cilin ai e refuzoi. Pas kësaj, kompania e largoi nga puna duke argumentuar ristrukturim dhe reduktim stafi.
Gjykata vendosi se përdorimi i Inteligjencës Artificiale nuk përbën automatikisht ndryshim të justifikuar të kushteve të punës dhe se kompania nuk kishte provuar pamundësinë për vazhdimin e kontratës ekzistuese.
Po ashtu, oferta për ulje page dhe pozicioni më i ulët u vlerësua si e paarsyeshme, duke e cilësuar shkarkimin si të paligjshëm.
Vendimi shihet si një sinjal i rëndësishëm për kompanitë që po integrojnë AI në proceset e tyre, duke theksuar se automatizimi nuk i përjashton nga detyrimet ligjore ndaj punonjësve.
Rasti vjen në një kohë kur industria e Inteligjencës Artificiale në Kinë po zgjerohet me shpejtësi dhe po ngre gjithnjë e më shumë debat mbi ndikimin e saj në tregun e punës.


