Ekspertët: Mamografia të fillojë në moshën 40 vjeçare

Ekspertët në Shtetet e Bashkuara rekomandojnë që gratë të kontrollohen një herë në dy vjet për kancerin e gjirit, duke filluar nga mosha 40 vjeçare.
Rekomandimi u bë nga Grupi i Punës për Shërbimet Parandaluese, një grup ekspertësh të pavarur të fushës së mjekësisë nga mbarë Shtetet e Bashkuara që bën rekomandime për shërbimet klinike parandaluese. Ky grup pune me ndikim në mjekësi thotë se ekzaminimi i hershëm synon të trajtojë dy probleme në rritje, shtimin e rasteve të kancerit të gjirit tek gratë nën moshën 40 vjeçare dhe shkallën e lartë të vdekshmërisë nga kanceri i gjirit tek gratë me ngjyrë.
Një ekip ekspertësh amerikanë të fushës së mjekësisë rekomandon se kontrolli i grave për kancer gjiri duhet të fillojë në moshën 40 vjeçare, duke u bërë rregullisht një herë në dy vjet.
Rekomandimi i mëparshëm ishte që mamografia të bëhej një herë në dy vjet për moshat nga 50 në 74 vjeç.Ndërsa përmirësohet trajtimi, shkalla e vdekjeve nga kanceri i gjirit ka pësuar rënie. Në Shtetet e Bashkuara rreth 240,000 raste diagnostikohen çdo vit dhe rreth 43,000 gra humbin jetën nga kanceri i gjirit.


