Bora “paralizon” këtë vend, rekord reshjesh në 200 vitet e fundit (VIDEO)

Në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, gjatë këtij muaji është regjistruar reshja më e fuqishme e borës e dy shekujve të fundit, sipas meteorologëve të Universitetit Shtetëror të Moskës. Siç u bë e ditur javën e kaluar, matjet tregojnë se muaji janar ishte jo vetëm jashtëzakonisht i ftohtë, por edhe i pazakontë për sasinë e lartë të reshjeve të dëborës.
Pamje nga metropoli me rreth 13 milionë banorë tregojnë qytetarë që hasin vështirësi në lëvizjen në rrugët e qendrës, të mbuluara nga një shtresë e trashë bore. Ndërkohë, trenat periferikë në zonën e Moskës kanë pësuar vonesa ditët e fundit, ndërsa pasditen e së enjtes u regjistruan bllokime të mëdha trafiku, me automjete të mbetura të paralizuara për orë të tëra.
Tonight Moscow is being buried under one of the heaviest snowfalls on record. Snowdrifts up to 60 cm, the snowiest January in 203 years, frozen doors on some electric trains, roads impassable in parts of Lyubertsy and Nekrasovka. People waiting hours for transport as emergency… pic.twitter.com/30UqOHfAyX
— Brian McDonald (@27khv) January 29, 2026
Sipas një njoftimi të universitetit në rrjetet sociale, deri më 29 janar Observatori Meteorologjik kishte regjistruar rreth 92 milimetra reshje, shifra më e lartë e shënuar në 203 vitet e fundit. Në disa zona të kryeqytetit rus, trashësia e borës së grumbulluar ka arritur deri në 60 centimetra.
Shkencëtarët sqarojnë se bora përbëhet kryesisht nga ajri, çka nënkupton se lartësia reale e shtresës së borës në terren mund të jetë shumë më e madhe sesa ajo që pasqyrojnë matjet zyrtare të reshjeve, të cilat bazohen në sasinë e ujit të rënë. Sipas tyre, kjo situatë historike u shkaktua nga sisteme të thella dhe të gjera presioni të ulët, të shoqëruara me fronte të fuqishme atmosferike që kaluan njëri pas tjetrit mbi rajonin e Moskës.
Megjithatë, reagimet e banorëve janë të ndryshme. “Kur isha fëmijë, kishte shumë më tepër borë. Tani pothuajse nuk kemi fare, më parë ishte dukshëm më shumë,” tha për AFP-në Pavel, 35 vjeç, banor i Moskës.
Ndërkohë, fenomene ekstreme atmosferike kanë goditur edhe zona të tjera të Rusisë. Më herët gjatë muajit, rajoni i Kamçatkës, në Lindjen e Largët ruse, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas një stuhie të fortë dëbore që paralizoi infrastrukturën në qytetin më të madh të zonës. Pamjet e shpërndara në internet treguan grumbuj gjigantë bore që arrinin deri në katin e dytë të ndërtesave, ndërsa banorët përpiqeshin të çlironin automjetet e mbuluara nga bora.


