Aksioni në Mesdhe/ BE-ja ndalon tankerin e “flotës në hije” ruse, dyshohet se transportonte naftë në shkelje të sanksioneve

Bota

Aksioni në Mesdhe/ BE-ja ndalon tankerin e “flotës në
Forcat detare të Bashkimit Evropian kanë hipur në bordin e tanker-it MV SUN në Mesdhe, pasi anija dyshohet se është pjesë e të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, bëri të ditur se operacioni u krye më 30 gusht nga forcat e misionit EUNAVFOR MED Irini. Sipas saj, anija dyshohet se lundronte nën një flamur të rremë, në shkelje të ligjit ndërkombëtar detar.

“MV SUN, i dyshuar se lundronte nën një flamur të rremë, u hip në bord për të kontrolluar flamurin e tij”, deklaroi Kallas përmes një postimi në platformën X.

Misioni EUNAVFOR MED Irini u krijua në vitin 2020 për të monitoruar dhe zbatuar embargon e armëve të vendosur nga OKB-ja ndaj Libisë. Me kalimin e viteve, mandati i tij është zgjeruar, duke i dhënë forcave evropiane mundësinë të kryejnë kontrolle dhe hipje në anije për verifikimin e dokumentacionit dhe flamurit.

Rasti i MV SUN vjen në një kohë kur BE-ja ka rritur vëmendjen ndaj “flotës në hije” ruse, e përbërë nga anije që dyshohet se përdoren për të transportuar naftë dhe për të anashkaluar sanksionet perëndimore.

ME TE LEXUARAT