Aksident tragjik në Britani, disa të vdekur pas përplasjes së makinave

Bota

Aksident tragjik në Britani, disa të vdekur pas përplasjes

Disa persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor në autostradën A66, pranë Middlesbrough në Britani.

Aksidenti ndodhi rreth orës 03:39, sipas orës lokale, në zonën e South Bank, në Teesside, dhe përfshiu një automjet policie dhe një Volkswagen Passat. Sipas Shërbimit të Ambulancës së Verilindjes, në përplasjen e rëndë u përfshinë gjithsej tre automjete.

“Një numër pacientësh u shpallën të vdekur në vendngjarje”, bëri të ditur shërbimi i ambulancës, pa dhënë ende një numër të saktë të viktimave.

Policia e Cleveland konfirmoi se përplasja ka shkaktuar disa viktima dhe se autoritetet po punojnë për identifikimin e tyre dhe njoftimin e familjarëve.

“Fatkeqësisht, përplasja ka rezultuar në shumë viktima. Po punojmë për të identifikuar viktimat dhe për të informuar familjet e tyre”, tha një zëdhënës i policisë.

Pas aksidentit, autostrada A66 është mbyllur në të dyja drejtimet, në segmentin mes Normanby Road dhe Church Lane. Autoritetet paralajmërojnë se rruga do të qëndrojë e mbyllur për një periudhë të zgjatur, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

ME TE LEXUARAT