Vrasje e planifikuar deri në detaj - Si u organizua atentati ndaj profesorit në Agia Paraskevi?!

Hetimet për vrasjen makabre të profesorit 43-vjeçar polak në Agia Paraskevi të Athinës kanë zbuluar një komplot të detajuar që përfshin pesë persona dhe një histori të ngatërruar hakmarrjeje, kujdestarie dhe interesa financiare.
Ngjarja ndodhi më 4 korrik, kur viktima u qëllua me gjakftohtësi pranë banesës, në momentin që do të merrte fëmijët. Në pranga kanë rënë dy shtetas shqiptarë, Andrea Sherri (24) dhe F. Driza (16), një bullgar, dhe dy grekë – mes tyre 35-vjeçari i dyshuar si autori i ekzekutimit dhe partneri i ri i ish-bashkëshortes së viktimës. Sipas autoriteteve, kjo e fundit dyshohet si nxitësja kryesore e krimit.
Motivi? Një vendim gjykate që i jepte të drejtën profesorit të merrte fëmijët jashtë Greqisë, çka sipas hetimeve shkaktoi frikë te nëna se nuk do t’i shihte më. Kjo, së bashku me konflikte për llogari të përbashkëta financiare në SHBA, dyshohet se çoi në planifikimin e vrasjes.
Skenari u vu në lëvizje fillimisht në Haidari, ku viktima kishte takim me fëmijët dhe ish-bashkëshorten. Për shkak të rrethanave, atentatori nuk veproi menjëherë. Më pas, në rrugën “Irini” të Agia Paraskevit, ai i ngriti pritë dhe e qëlloi për vdekje, duke u larguar në këmbë.
Autori u përpoq të ndërtonte një alibi të fortë – hodhi armën dhe rrobat në kazanë plehrash, udhëtoi drejt Nafplios me transport publik dhe la telefonin e tij te bashkëpunëtori bullgar, për të simuluar vendndodhje tjetër. Dy shqiptarët nuk morën pjesë në vrasje, por u përfshinë në ndihmën për transportin dhe arratisjen, kundrejt pagesës prej 1.500–2.000 eurosh. Më vonë, sipas policisë, ata nisën ta shantazhonin autorin, duke i kërkuar 40–50 mijë euro për të heshtur.
Një detaj i rëndë është përfshirja, pa dijeni, e djalit 14-vjeçar të autorit. Ai mbante një telefon të dhënë nga babai, përmes të cilit qarkullonin urdhra dhe mesazhe mes të dyshuarve.
Të arrestuarit do të dalin përpara prokurorisë, ndërsa autoritetet greke e konsiderojnë këtë një nga rastet më të rënduara të krimit të organizuar familjar në vitet e fundit.


