Vrojtuesi i plazhit i shpëton jetën 67-vjeçarit në Velipojë

Një ngjarje me fund të lumtur u regjistrua këtë të diel në plazhin e Velipojës, ku një pushues 67-vjeçar u shpëtua falë reagimit të shpejtë të vrojtuesit të plazhit, Besfort Gjoklaj.
Sipas informacioneve paraprake, i moshuari dyshohet se pësoi një atak kardiak teksa ndodhej në ujë.
Vrojtuesi ndërhyri menjëherë, e nxori nga deti dhe konstatoi se 67-vjeçari nuk kishte puls dhe nuk merrte frymë.
Gjoklaj i dha ndihmën e parë duke kryer manovrat e reanimimit kardiopulmonar (CPR). Pas disa minutash përpjekjesh, pushuesi rifitoi shenjat jetësore.
Më pas, në vendngjarje mbërriti ekipi i Urgjencës, i cili e transportoi 67-vjeçarin në spital, ku po merr trajtimin e nevojshëm.


