Tri dekada në arrati për tre vrasje, Policia njoftim zyrtar: Sokol Hoxha u deportua në Shqipëri

Aktualitet

Tri dekada në arrati për tre vrasje, Policia njoftim zyrtar: Sokol

Policia e Shtetit ka njoftuar deportimin në Shqipëri të Sokol Hoxhës, 51 vjeç, i dënuar për tre vrasje në Shqipëri dhe Belgjikë.

Sipas njoftimit zyrtar, deportimi u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, pas bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare. Hoxha ishte arrestuar në Ohio, SHBA, më 5 maj 2026.

Policia bën me dije se Sokol Hoxha është dënuar në vitin 2000 nga Gjykata e Fierit me 25 vite burgim për vrasjen e dy personave në Patos, në vitin 1997.

Gjithashtu, në vitin 2010, Gjykata e Brukselit në Belgjikë e ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një shtetaseje shqiptare në Bruksel, në vitin 1997.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Departamentit të Policisë Kriminale/Njësisë së Hetimeve të Përbashkëta, Interpol Tiranës, Interpol Uashingtonit, Interpol Mançesterit dhe Interpol Brukselit, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”, u finalizua procedura për deportimin në Shqipëri, të shtetasit të arrestuar në Ohio, më datë 05.05.2026:

-Sokol Hoxha, 51 vjeç, lindur në Fier.

Ky shtetas, në vitin 2000, është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, pasi më datë 30.03.1997, në Patos, Fier, në bashkëpunim me shtetasin D. S., ka vrarë me armë zjarri, shtetasit H. B. dhe I. B. (vëllezër), për motive të dobëta.

Gjithashtu, në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Brukselit, Belgjikë, me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më datë 29.08.1997, ka vrarë me armë zjarri, në Bruksel, një shtetase shqiptare, të cilën më parë e kishte shfrytëzuar për prostitucion.

Deportimi i shtetasit Sokol Hoxha, mëngjesin e sotëm, rezultat i bashkepunimit te vazhdueshem ndërkombëtar policor ndërmjet hetuesve nga Njësia Speciale Policore e Departamentit të Policisë Kriminale (e njohur si Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investiguese), e cila punon ngushtë me Njësitë e Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU në Ambasadën Amerikane në Tiranë, si dhe me Marshallët Amerikanë dhe me ICE-ERO në ShBA.

Policia e Shtetit është maksimalisht e angazhuar dhe e vendosur për të qëndruar përkrah partnerëve amerikanë për hetime të përbashkëta dhe në veçanti për rastet e shtetasve në kerkim që i fshihen sistemeve të drejtesise të të dyja vendeve.

ME TE LEXUARAT