Zbardhet VRASJA në Sarandë, policia deklaratë zyrtare: Gjashtë persona të përfshirë, ja si ndodhi ngjarja

Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Elidon Çela, ka zbardhur detaje të reja mbi vrasjen e ndodhur në Qafë Gjashtë të Sarandës, ku mbeti i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili.
Sipas policisë, në konflikt janë përfshirë Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla.
Ngjarja ndodhi në lokalin në pronësi të Rexhep Ismailit, ku grupi i të rinjve është përplasur me Tori Ruçin, viktimën dhe persona të tjerë që ndodheshin në tavolinë.
Hetimet paraprake tregojnë se konflikti ka nisur me sende të forta, ndërsa më pas është përshkallëzuar me përdorimin e armëve të zjarrit.
Sipas policisë, gjatë përplasjes Rexhep Ismaili ka marrë një armë automatike dhe ka qëlluar ndaj personave të përfshirë në konflikt, duke plagosur në këmbë Kostandin Voglin.
Më pas, dyshohet se Lulzim Tabaku ka qëlluar me pistoletë në drejtim të 66-vjeçarit, i cili humbi jetën në vendngjarje.
Pas ngjarjes, personat e përfshirë janë larguar nga vendi i krimit.
Policia thotë se vëllai i viktimës, Hajredin Ismaili, dyshohet se ka fshehur armën automatike, e cila më pas u gjet dhe u sekuestrua së bashku me një krehër me 21 fishekë.
Gjithashtu janë sekuestruar një automjet tip “Audi Q8”, gëzhoja, fishekë dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.
Në fshatin Nivicë është gjetur edhe motomjeti me të cilin dyshohet se është larguar autori i dyshuar.
Policia ka shpallur në kërkim Lulzim Tabakun për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”, ndërsa pesë personat e tjerë akuzohen për “Kanosje” dhe “Shkatërrim prone”.
Ndërkohë, Hajredin Ismaili është proceduar penalisht për fshehjen e armës.
Policia vijon kërkimet për arrestimin e personave të shpallur në kërkim dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.


