Vodhi 5 mijë euro që në ditën e parë të punës në Tiranë, gruaja lirohet pas vetëm 3 ditësh në qeli (EMRI)

Hajdutja seriale, e cilësuar si tmerri i bizneseve të Tiranës, rikthehet në terren. Mësohet se pasi vodhi afro 5 mijë euro në një biznes në zonën e “Vorrit të Bomit”, Kumrie Zika është liruar sërish pas vetëm tri ditësh, duke shpëtuar edhe këtë herë vetëm me masën “detyrim paraqitjeje”.
Zika qe paraqitur si e interesuar për punë në një biznes që merret me “Exchange” dhe transferta parash brenda dhe jashtë vendit. Biznesi e pati marrë në provë dhe që në ditën e parë Zika shfrytëzoi vetëm pak sekonda neglizhencë të punonjësit tjetër për të vjedhur 5 mijë euro dhe për tu zhdukur në rrugicat e ngushta të lagjes.
Menjëherë pas ngjarjes, biznesi i dëmtuar njoftoi policinë, e cila pasi e identifikoi përmes kameravë të sigurisë dhe arriti ta identifikojë dhe ta arrestojë në zonën e “21 Dhjetorit”. Pavarësisht se ajo ka kryer të njëjtën vepër penale në mënyrë të përsëritur, qëndrimi në burg ka zgjatur vetëm 3 ditë.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se prokuroria ka kërkuar ekspertim të gjendjes mendore të të pandehurës, e cila në rrethana akoma më të paqarta kishte arritur të siguronte një kartelë mjekësore që vërtetonte problemet mendore, në letër. Kaq ka mjaftuar që Zika t’i shpëtojë edhe një herë burgut dhe të kthehet edhe sërish në terren, teksa me siguri ka nisur “gjuetinë për prenë e radhës”.
Sipas dëshmisë së punonjësit të Exchange, Zika është shfaqur krejt normale në orët që ka qëndruar në biznes. Nga ana tjetër, ajo prej vitesh ftohej në televizionet tonë si eksperte e rekrutimit të punonjësve, gjithashtu pa shfaqur asnjë shenjë se gjendja e saj mendore është në kushtet e një njeriu me probleme psikike.


