Vlorë/ Zjarri në Dukat zgjerohet me shpejtësi, përfshihet nga flakët edhe një pjesë e malit të Çikës

Aktualitet

Vlorë/ Zjarri në Dukat zgjerohet me shpejtësi, përfshihet

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën mbi fshatin Dukat, në jug të vendit, ndërsa dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar qëllimisht. Zjarri shpërtheu rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme, fillimisht në katër vatra, dhe gjatë natës u përhap drejt malit të Çikës, duke zënë një sipërfaqe të konsiderueshme. Forcat zjarrfikëse mbërritën në terren rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe nisën punën për izolimin e vatrave.

Në operacion janë angazhuar rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura, nën drejtimin e strukturave të Emergjencave Civile, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen nga toka. Nga distanca, përmasat e zjarrit duken të mëdha dhe flakët vazhdojnë të përhapen në terrenin malor, ku terreni i thyer po paraqet vështirësi për shuarjen. Operacioni pritet të zgjasë disa orë, ndërsa ekipet në terren duhet të jenë të pajisura me ujë dhe ushqime për shkak të qëndrimit të gjatë në zonë.

Aktualisht era nuk është e fortë dhe kushtet atmosferike nuk po favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve, por njoftohet se një përforcim i erës do të rrisë rrezikun që zjarri të përparojë drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Flakët, të favorizuara nga era e fortë dhe terreni i vështirë malor, kanë përfshirë edhe një pjesë të malit të Çikës.

Kjo ka bërë që sipërfaqja e përfshirë nga zjarri të zgjerohet ndjeshëm.

Forcat zjarrfikëse dhe ushtria vijojnë ndërhyrjen me qëllim izolimin e plotë të vatrave dhe parandalimin e mëtejshëm të përhapjes së zjarrit.

Përveç ndërhyrjes tokësore, pritet që edhe mbështetja nga ajri të luajë një rol të rëndësishëm në izolimin e flakëve, veçanërisht në zonat e thepisura ku ndërhyrja e mjeteve tokësore është më e vështirë. Autoritetet vazhdojnë operacionet të koordinuar për të kontrolluar vatrat dhe për të mbrojtur zonat përreth, ndërsa situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm.

ME TE LEXUARAT