Vlorë, IMT prisht 3 objekte në kuadër të projektit Transballkanike-Port-Lungomare 4

Tre objekte janë shembur këtë të enjte në Vlorë, në kuadër të vijimit të projektit që lidh Rrugën Transballkanike me Portin dhe vazhdimësinë e Lungomares 4. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) ndërhyri për prishjen e objekteve, të cilat ishin shpronësuar që në vitin 2018 dhe konsideroheshin të pabanueshme.
Sipas autoriteteve, ato ishin kthyer edhe në shqetësim për banorët, pasi përdoreshin nga persona përdorues të lëndëve narkotike.
Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, theksoi rëndësinë e kësaj ndërhyrjeje për vijimin e projektit. Ajo bëri të ditur se paralelisht po punohet edhe në kanalin e ujërave të larta, ku ende ka problematika me disa ndërtime që janë në proces legalizimi.


