Valë e jashtëzakonshme udhëtarësh në Morinë, mbi 45 mijë kosovarë mbërrijnë në Shqipëri për 27 orë

Aktualitet

Valë e jashtëzakonshme udhëtarësh në Morinë, mbi

Fundjava e fundit e korrikut shënoi një rekord të ri fluksi në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, ku mijëra qytetarë nga Kosova zgjodhën Shqipërinë si destinacion. Sipas raportimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin, gjatë një intervali prej 27 orësh e gjysmë, konkretisht nga ora 05:00 e 25 korrikut 2026 deri në orën 08:30 të 26 korrikut 2026, në territorin shqiptar kanë hyrë 45 518 shtetas kosovarë.

Po gjatë kësaj periudhe, autoritetet regjistruan edhe kalimin e 12 790 mjeteve me drejtim Shqipërinë. Sipas strukturave kufitare, kjo rritje e theksuar e lëvizjeve lidhet drejtpërdrejt me pragun e muajit gusht, i cili shënon kulmin e sezonit të pushimeve.

Një peshë të konsiderueshme në këtë fluks ka edhe kthimi i mërgimtarëve kosovarë, të cilët prej vitesh e kanë traditë të pushojnë si në plazhet shqiptare, ashtu edhe në zonat malore turistike.

Autoritetet presin që Morina të vijojë të jetë nën presion të lartë në javët e ardhshme. Në funksion të kësaj, forcat e Policisë Kufitare janë të mobilizuara për të administruar numrin e madh të udhëtarëve dhe automjeteve që mbërrijnë gjatë verës.

Për të shmangur radhët e gjata, mbetet në fuqi marrëveshja për lëvizjen pa ndalesë të makinave me targa të Kosovës dhe Shqipërisë, teksa për mjetet me targa të huaja aplikohen lehtësira procedurale.

ME TE LEXUARAT