U vra në krye të detyrës, Kuvendi mban një minutë heshtje për efektivin Enea Mekolli

Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur sot (4 qershor) një minutë heshtje për efektivin e Policisë së Shtetit që mbeti i vrarë në krye të detyrës gjatë një aksioni në Lozhan të Maliqit nga i shumëkërkuari dhe i dënuari Violand Braçellari, i arrestuar.
Para respektit të dëshmorit të rënë, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ishte ai që kërkoi nderimin me një minutë heshtje, duke ftuar edhe grupet e tjera parlamentare, teksa kërkoi nga drejtësia që të veprojë me të gjithë forcën.
Balla tha se tashmë Mekolli është shpallur edhe dëshmor i atdheut, teksa nënvizoi se kush ngre dorë ndaj policisë ngre dorë ndaj shtetit.
“Gjaku i policisë së shtetit është gjaku i vetë shtetit, kush ngre dorë ndaj policisë ngre dorë ndaj shtetit. Urojmë shërim të shpejtë për efektivin e plagosur. Drejtësia duhet të veprojë me forcën dhe ndëshkimin maksimal. Në emër të grupit parlamentar të grupit të PS dhe besoj me mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare kërkojmë një minutë heshtje për efektivin e rënë në krye të detyrës, Enea Mekolli dhe shpalljen e tij dëshmor i atdheut”, tha Balla mes të tjerash.
Kurse nënkryetarja e parlamentit, Klodjana Spahiu, u shpreh se sakrifica e efektivit do vlerësohet, ndërsa i uroi shërim të shpejtë efektivit të plagosur.


