Tre muaj pas rrëshqitjeve, disa familje pa strehë në Memaliaj! Bashkia: S’kemi fonde, presim ndihmë nga Qeveria

Më shumë se tre muaj pas reshjeve intensive të dimrit, situata në Memaliaj vijon të mbetet problematike, pasi disa familje ende përballen me pasojat e rrëshqitjeve të dherave.
Tre familje rezultojnë ende të izoluara, ndërsa disa banesa dhe rrugë të brendshme të fshatit mbeten të dëmtuara.
Fshati Memaliaj ndodhet në kodrën mbi qytetin me të njëjtin emër dhe sipas banorëve, terreni i paqëndrueshëm ka përkeqësuar situatën pas reshjeve të shumta.
“Tre ditë ka rënë shi pa pushim. U shkëput dheu dhe po të mos ishin këto hekura që kisha vendosur, do kisha ikur me gjithë shtëpi poshtë në përrua”, shprehet një banor.
Të tjerë banorë thonë se dëmet kanë prekur edhe muret e banesave dhe rrugët e zonës.
“Më ka rënë muri i shtëpisë, edhe komshiut gjithashtu. Rruga është gati për t’u shembur”, thanë ata.
Rrëshqitjet kanë lënë të izoluar lagjen e sipërme të fshatit, ndërsa banorët thonë se përfaqësues të institucioneve lokale kanë inspektuar zonën.
Sipas Bashkia Memaliaj, dëmet janë të konsiderueshme dhe kërkojnë ndërhyrje më të thelluara.
Nënkryetari i bashkisë, Florian Çela, deklaroi se institucioni ka ndërhyrë gjatë emergjencës, por nuk ka fonde të mjaftueshme për rehabilitimin e plotë.
Ai tha se bashkia po kërkon mbështetje nga qeveria dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për stabilizimin e terrenit dhe rikonstruksionin e infrastrukturës.
Sipas të dhënave zyrtare, janë dëmtuar gjashtë banesa në fshatrat Memaliaj, Vasjar dhe Kallëm, ndërsa disa rrugë rurale vijojnë të jenë jashtë funksionit.
Familjet që kanë mbetur pa strehë janë sistemuar përkohësisht në banesa me qira, në pritje të rindërtimit.


