Zbulohet “strofkulla” e drogës në Milano! Arrestohet shqiptari 52-vjeçar, ku e kishte fshehur heroinën

Një shqiptar 52-vjeçar është arrestuar nga policia në Milano, pasi dyshohet se kishte kthyer një banjo të braktisur në laborator për fshehjen dhe përpunimin e heroinës.
Sipas mediave italiane, operacioni u zhvillua nga efektivët e komisariatit Mecenate, të cilët kishin vendosur prej kohësh në vëzhgim 52-vjeçarin, i cili rezulton me precedentë penalë.
Ai u ndoq deri në një ndërtesë në zonën e Via San Dionigi, ku hyri nga një derë dytësore në një pallat ku nuk banonte.
Policia ndërhyri menjëherë dhe zbuloi se një banjo jashtë funksionit ishte kthyer në bazë për përpunimin dhe fshehjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën rreth 2.5 kilogramë heroinë, mbi 5 kilogramë substanca përzierëse, peshore precize, materiale paketimi dhe pajisje që përdoren për presimin e drogës para shpërndarjes në treg.
Kontrollet vijuan edhe në ambiente të tjera, ku brenda një elektroshtëpiakeje të vjetër dhe jashtë përdorimit u zbuluan edhe 1.5 kilogramë heroinë, mbi 100 gram kokainë, hashash dhe kartëmonedha false.
Hetuesit italianë dyshojnë se ambienti përdorej si pikë përgatitjeje dhe magazinimi për shpërndarjen e drogës në Milano, ndërsa po verifikohen edhe lidhjet e mundshme të shqiptarit me rrjete të tjera të trafikut të drogës në zonë.


