Grabitet posta private në Tiranë! Persona të maskuar morën 3 pako, dyshohet se brenda kishin sende të paligjshme

Aktualitet

Grabitet posta private në Tiranë! Persona të maskuar morën 3

Magazina e një kompanie postare në Yrshek është grabitur gjatë orëve të para të mëngjesit nga katër persona ende të paidentifikuar, të cilët kanë marrë 3 pako.

Nga të dhënat paraprake rezulton se ngjarja është regjistruar rreth orës 01:10. Pasi kanë siguruar pakot, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Përmbajtja e dërgesave të grabitura nuk dihet ende. Personeli i kompanisë postare po zhvillon inventarin për të identifikuar pakot e marra, personat në emër të të cilëve ishin porositur dhe vendin nga ishin nisur.

Sipas burimeve, një nga pistat që po shqyrtojnë hetuesit është mundësia që në njërën prej pakove të ketë pasur sende të jashtëligjshme. Megjithatë, kjo mbetet një dyshim që pritet të konfirmohet pas kryerjes së verifikimeve.

Brenda ambienteve të biznesit, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe një pistoletë lodër, e cila u kishte rënë grabitësve. Ndërkohë, në lagjen “Sorraj” të Kasharit është gjetur duke u djegur një automjet, që dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar.

Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e katër personave të përfshirë në grabitje.

ME TE LEXUARAT