“Tentoi t’i shpëtonte prangave”, arrestohet një nga autorët e grabitjes së argjendarisë në Paskuqan

Policia e Tiranës dhe Komisariati nr. 5 kanë arrestuar një nga autorët e dyshuar të grabitjes me armë zjarri në një argjendari në Paskuqan, ngjarje e ndodhur më 5 gusht.
Në pranga ka rënë Argys Kalsi, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në grabitjen ku u vodhën sende floriri me vlerë mbi 1.5 milionë lekë të reja.
Sipas burimeve, Kalsi është arrestuar në Qafë Thanë, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria. Në momentin që ka mbërritur në pikën kufitare për të kaluar kufirin, i riu është ndaluar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.
Mësohet se Policia e Tiranës e kishte identifikuar prej disa ditësh Kalsin si një nga autorët e dyshuar të grabitjes. Megjithatë, arrestimi i tij nuk është kryer menjëherë, pasi hetuesit e kishin mbajtur nën vëzhgim dhe po e ndiqnin, me qëllim identifikimin dhe kapjen edhe të personit tjetër që dyshohet se ka marrë pjesë në grabitje.
Autorët dyshohet se gjatë grabitjes kanë lëvizur me një motor pa targa dhe kanë shmangur rrugët kryesore, duke përdorur rrugica periferike të Kamzës para dhe pas ngjarjes.
Pas grabitjes, Policia kishte arritur të gjente edhe motorin që dyshohet se është përdorur nga autorët.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorit të dytë të dyshuar, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe rolit të secilit prej personave të përfshirë.


