Laboratori i drogës në Itali, 49-vjeçari shqiptar kishte kthyer banesën në “fabrikë” kokaine

Një 49-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, pas zbulimit të një laboratori përpunimi droge në zonën Cologno Monzese, provinca e Monzës. Operacioni u zhvillua pas një hetimi të nisur nga një informacion anonim për lëvizje të dyshimta të një burri që frekuentonte një apartament me çanta në duar.
Pas një ndjekjeje dhe kontrolli fizik, efektivët gjetën 30 gramë kokainë në posedim të tij, si dhe çelësat e një apartamenti. Pikërisht në këtë apartament, u zbulua një laborator i kompletuar për përpunimin dhe paketimin e lëndëve narkotike. Brenda u sekuestruan më shumë se 6 kilogramë kokainë dhe heroinë, makineri për paketim, substanca për përzierje dhe peshore precize.
Kontrollet u shtrinë edhe në banesën tjetër të shqiptarit në Milano, ku autoritetet zbuluan mbi 50 mijë euro të dyshuara si të ardhura nga trafiku i drogës.
Ai akuzohet për trafik dhe përpunim të sasive të mëdha narkotikësh. Hetimet pritet të zgjerojnë rrjetin e kontakteve dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm të 49-vjeçarit, ndërsa autoritetet italiane kanë paralajmëruar operacione të tjera të ngjashme në vijim.


