S’u luajt Himni Shqiptar në Pustec/ Reagon Ministria e Jashtme: Mungesë serioze e protokollit dhe etikës

Aktualitet

S’u luajt Himni Shqiptar në Pustec/ Reagon Ministria e Jashtme:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka shprehur keqardhjen për mospërfshirjen e Himnit Kombëtar Shqiptar gjatë një aktiviteti kulturor të zhvilluar ditën e djeshme në Pustec, ku ishin të pranishëm Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe Kryetari i Bashkisë.

Në një reagim zyrtar, MEPJ thekson se edhe pse ngjarja u organizua nga një shoqatë lokale, prania e autoriteteve të larta institucionale i jepte asaj një dimension të veçantë publik. Për këtë arsye, mosluajtja e himnit shqiptar krahas atij të Maqedonisë së Veriut përbën një shmangie serioze nga rregullat e protokollit dhe mirësjelljes.

Sipas ministrisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e etikës institucionale dhe e bashkëjetesës demokratike në çdo pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe mbetet një nga themelet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Reagimi:

MEPJ shpreh keqardhje për faktin që, në një aktivitet kulturor të zhvilluar dje në Pustec, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe të Kryetarit të Bashkisë, nuk u luajt edhe Himni Kombëtar Shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara të mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë dhe imponojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë.

Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi. Ai është pjesë e etikës institucionale, e protokollit dhe, mbi të gjitha, e respektit të ndërsjellë, veçanërisht në një hapësirë ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme.

Në Pustec, ashtu si në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit për vetë qytetarët, për vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturës qytetare që na bashkon. Është gjithashtu themel i fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe shteteve tona.

ME TE LEXUARAT