Dita e 45-të, protestuesit marshojnë drejt Kryeministrisë me thirrje kundër qeverisë: Ju erdhi fundi

Shqipëria hyn sot në ditën e 45-të të protestave qytetare, ndërsa organizatorët kanë bërë të qartë se revolta nuk do të ndalet. Ashtu si në 44 ditët e fundit, edhe këtë mbrëmje qytetarët u mblodhen para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec është shndërruar tashmë në një lëvizje mbarëkombëtare kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike. Çdo ditë, protestuesit kanë marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur fjalime, pankarta dhe simbole që tashmë janë bërë pjesë e identitetit të kësaj lëvizjeje.
Edhe në tubimin e një dite më parë, protestuesit përsëritën se nuk do të tërhiqen. Nga podiumi u deklarua se rezistenca do të vazhdojë gjatë gjithë verës, pa asnjë ndërprerje, deri në muajin shtator, duke ftuar qytetarët dhe diasporën të mos e braktisin sheshin.
Në protestën e 44-t dominuan sërish thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion”, "Ju erdhi fundi" dhe “Shqipëri e re”, ndërsa në podium u ngjitën aktivistë, përfaqësues të diasporës dhe qytetarë të cilët kërkuan vazhdimin e qëndresës deri në realizimin e kërkesave të protestës.

