S’ka më tolerime! Mbi 13 mijë gjoba nga Policia Rrugore e Tiranës, arrestohen 32 persona

Policia Rrugore e Tiranës njoftoi se ka arrestuar 32 persona dhe ka vendosur mbi 13 mijë gjoba gjatë ditëve të fundit, në kuadër të kontrolleve të kryera në qytet kundër shkeljeve dhe parandalimit të aksidenteve.
“Policia Rrugore e Tiranës vijon monitorimin 24/7 të akseve lidhëse dhe me frekuentim të lartë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore. Fokus i monitorimit kanë qenë dhe automjetet që shkaktojnë zhurma, shpejtësia tej normave të lejuara, drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Në kuadër të këtyre kontrolleve, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor janë arrestuar 32 shtetas, 2 prej tyre tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë, pas konstatimit të tyre duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur”, tha policia.
Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë vendosur në total 13 467 masa administrative, konkretisht:
-4,998 masa për shkelje në sigurinë rrugore;
-7,868 masa për shkelje të rregullave të ndalimit, pushimit dhe qëndrimit, shkelje që pengojnë qarkullimin dhe krijojnë kaos në trafik;
-1,093 masa për drejtuesit e motomjeteve që nuk kanë respektuar përdorimin e kaskës mbrojtëse;
-83 masa për automjetet që krijojnë zhurma përmes modifikimeve të paligjshme;
-418 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
-309 masa administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
-19 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit;
-75 mjete janë bllokuar për shkelje të ndryshme rrugore.
“Policia Rrugore apelon sërish për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit, shmangien e drejtimit të mjetit në efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi, si dhe për rritje të përgjegjshmërisë nga të gjithë përdoruesit e rrugës, me qëllim garantimin e përmbushjes së parametrave të sigurisë rrugore”.


