Sindikata e pedagogëve mbështet protestat: Duhet transparencë në vendimmarrje

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka shprehur mbështetjen për protestat që po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit që prej 31 majit 2026.
Në një deklaratë publike, sindikata i ka vlerësuar protestat si një shprehje të qytetarisë aktive dhe angazhimit demokratik, duke theksuar se një pjesë e anëtarëve të saj janë bërë pjesë e këtyre tubimeve.
SPUSH ka përshëndetur karakterin paqësor dhe jopartiak të protestave, të cilat sipas saj lidhen me mbrojtjen e zonave të mbrojtura natyrore, pasurive publike dhe kërkesën për konsultim më të gjerë të qytetarëve në vendimmarrje.
Sindikata ka vënë theksin edhe te roli i të rinjve në këto nisma, duke nënvizuar se shumë prej protestuesve janë studentë dhe ish-studentë të universiteteve shqiptare.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se kërkesat e protestuesve përputhen me parimet e transparencës, përgjegjësisë publike dhe standardet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë.
SPUSH shprehet se komuniteti akademik duhet të ketë një rol më aktiv në debatet publike për çështje që lidhen me mjedisin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe menaxhimin e pasurive publike, duke kërkuar përfshirje më të madhe të ekspertizës në vendimmarrje.
Në fund, sindikata i bën thirrje qeverisë dhe forcave politike që të dëgjojnë kërkesat e protestuesve dhe të angazhohen për zgjidhje në interes të qytetarëve dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë.


