“Shumë i fortë, lëkundjet zgjatën”, qytetarët të frikësuar nga tërmeti i mëngjesit! IGJEUM regjistron 8 pasgoditje

Aktualitet

“Shumë i fortë, lëkundjet zgjatën”,

Tërmeti i mëngjesit të sotëm me magnitudë 4.4 Rihter ka trembur qytetarët e Tiranës duke zgjuar frikën e lëkundjeve tragjike të Nëntorit 2019. Epiqendra ka qenë në zonën e Niklës, por tërmeti është ndjerë i fortë në kryeqytet, Durrës, Elbasan dhe zonat e tjera përreth.

Sipas agjencisë europiane për tërmeteve, EMSC, ngjarja sizmike ka qenë me thellësi 17 km nga toka dhe sërish është ndjerë e fortë. Megjithatë, nuk është raportuar për persona të lënduar apo dëme materiale, por veç panik.

Teksa lënë përshtypjet për lëkundjet e mëngjesit, qytetarë nga zona të ndryshme pranë epiqendrës, i përshkruajnë ato si të ndjeshme dhe në katet përdhe (shtëpitë private) dhe relativisht të forta sepse kanë lëvizur objektet brenda banesave.

"Termet, Zot na ruaj”, "U degjua shume fort, u perplasen xhamat e dyerve", "Ishte shumë me i fortë se 4.4”, "Ishem, Durres u ndje shumë me nje levizje te fortë saqe me zgjoi nga gjumi", janë disa nga qindra komentet e bëra në faqen europiane të tërmeteve, EMSC.

Ndërkohë, Instituti i GjeoShkencës në Shqipëri ka bërë një përditësim të situatës sizmike dhe raporton për tetë pasgoditje që kanë ndodhur pas tërmetit të parë me magnitudë 4.2 Rihter.

Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë mes magnitudës 2 dhe 3, kurse dy të tjera kanë qenë respektivisht 3.4 dhe 3.4 rihter.

Kjo, sipas sizmiologëve është një shenjë e mirë që tregon se energjia pas ngjarjes kryesore po çlirohet dhe gjasat që të ketë pasgoditje më të mëdha se lëkundja e parë janë shumë të vogla, ndaj nuk ka vend për panik.

ME TE LEXUARAT