Shqipëria në maj thyen pritshmëritë, turistët rriten me 31.8%, bregdeti në krye të preferencave

Shqipëria po përjeton një bum të vërtetë turistik, me statistika që flasin qartë: gjatë majit 2025, vendi shënoi një rritje prej 31.8% në numrin total të vizitorëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas INSTAT, kjo rritje u udhëhoq nga turistët e huaj, me një shtim prej 36.6%, ndërsa vizitorët vendas u rritën me 18.6%. Numri i netëqëndrimeve u rrit gjithashtu me 31.5%, me jo-rezidentët që dominuan sërish këtë tregues (+35.1%).
Vendet që sollën më shumë turistë ishin Kosova (15%), Italia (13%) dhe Gjermania (9%), ndërsa Polonia dhe Franca ndanë nga 8%. Rreth 47% e vizitorëve erdhën nga vende të tjera, një sinjal i qartë i diversifikimit të tregjeve turistike që zgjedhin Shqipërinë si destinacion.
Zona bregdetare ishte kampione absolute e majit, me një rritje prej 47.6% në fluksin e vizitorëve. Po ashtu, akomodimi në hotele shënoi rritje me 38.5%, ndërsa shfrytëzimi i dhomave u rrit në 28.7%, nga 25.1% një vit më parë.
Shifrat konfirmojnë se Shqipëria po ngjitet fuqishëm si një ndër destinacionet më të kërkuara të Mesdheut.


