Shqipëria kryeson emigracionin në Europë: mbi 29 mijë të larguar vetëm në 2024

Aktualitet

Shqipëria kryeson emigracionin në Europë: mbi 29 mijë

Shqipëria ka shënuar normën më të lartë të emigracionit neto negativ në Europë për vitin 2024, me -12.1 persona për 1.000 banorë, sipas të dhënave të Eurostat. Krahasuar me vitin 2022, kur kjo normë ishte -11.7, tendenca jo vetëm nuk po ngadalësohet, por po përkeqësohet në mënyrë të qëndrueshme.

Ndryshe nga vendet e rajonit që po kthehen drejt balancimit ose kthimit të diasporës, Shqipëria vazhdon të boshatiset. Në dy vitet e fundit (2023-2024), emigracioni neto arriti -72,597 persona, ndërsa vetëm në vitin 2024 ky tregues ishte rreth -29 mijë.

Kjo rritje ka ndikuar edhe në moshën mediane, e cila në janar 2025 arriti 44.3 vjeç, duke reflektuar plakjen e shpejtë të popullsisë.

Në vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, bilanci i migracionit është kthyer pozitiv, ndërsa në Shqipëri, të rinjtë po largohen më shumë se kurrë. Nga 2015 deri në 2020 iknin mesatarisht 16 mijë vetë në vit, por nga 2020 deri më sot kjo shifër është dyfishuar.

Sipas anketimeve të Monitor, 66% e qytetarëve që dëshirojnë të largohen përmendin mungesën e perspektivës, ndërsa faktorë të tjerë janë: standardet e ulëta të jetesës, mungesa e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, si dhe pasiguria politike.

Ndryshe nga vende që kanë ndërtuar politika për të kthyer diasporën, Shqipëria nuk ka asnjë strategji reale për të ndaluar zbrazjen. Për më tepër, emigrimi është parë në heshtje si mënyrë për të ulur presionin ekonomik dhe social.

Pasojat janë të dukshme: mungesë fuqie punëtore, boshatisje e zonave rurale, krizë të specializimit në arsim dhe shëndetësi, si dhe humbje të investimeve. Pa ndërhyrje të shpejtë dhe të organizuar, ky fenomen rrezikon të bëhet i pakthyeshëm.

ME TE LEXUARAT