Shpëtohen tre turistët gjermanë që kishin mbetur të bllokuar në malin e Çikës, operacioni zgjati katër orë

Tre turistë gjermanë janë shpëtuar pasi mbetën të bllokuar mes shkëmbinjve në Malin e Çikës.
Operacioni i kërkim-shpëtimit u zhvillua në një terren tepër të vështirë malor dhe zgjati rreth katër orë.
Pas marrjes së sinjalit SOS, ekipet e shpëtimit nisën menjëherë kërkimet për lokalizimin e turistëve, të cilët kishin humbur orientimin gjatë ecjes dhe nuk mund të largoheshin nga zona ku kishin mbetur të izoluar.
Në operacion u angazhuan efektivë të forcave speciale Delta Force, shërbimet e Policisë së Vlorës, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, si dhe një helikopter për ndërhyrjen nga ajri.
Pas lokalizimit të tyre, tre të rinjtë u nxorën nga terreni i vështirë me ndihmën e helikopterit dhe u transportuan drejt Qendrës Shëndetësore të Palasës, ku morën kujdesin e parë mjekësor.
Sipas informacioneve paraprake, turistët nuk paraqesin probleme serioze shëndetësore.


