Shembjet në Theth, Avokatja e Popullit: Asnjë ankesë zyrtare nga qytetarët deri tani

Aktualitet

Shembjet në Theth, Avokatja e Popullit: Asnjë ankesë zyrtare nga

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka reaguar për zhvillimet e fundit në Theth, pas prishjes së disa ndërtimeve që kanë ngjallur debate në opinionin publik. Ajo konfirmoi se institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim mbi këtë çështje, por deri tani nuk ka marrë asnjë ankesë formale nga qytetarët e zonës.

“Nuk kemi ende një ankesë zyrtare nga qytetarët. Kemi marrë një rast për shqyrtim, por për të ecur më tej do të duhet të bëjmë një verifikim në terren,” tha Ballanca. Ajo theksoi se procedurat janë në fazë paraprake dhe nuk është arritur ende në përfundime konkrete.

Sipas saj, nga të dhënat e para, mund të ketë raste të ndërtimeve pa leje, por kjo do të vërtetohet vetëm pas një hetimi të plotë. Ajo nënvizoi se Avokati i Popullit nuk reagon mbi baza deklaratash të izoluara, por vetëm kur ka prova të qarta dhe kërkesë nga vetë qytetarët.

“Nëse konstatojmë shkelje të të drejtave të njeriut, mund të ndërhyjmë me nismë tonën, por duhet autorizim dhe bashkëpunim nga qytetarët,” sqaroi Ballanca.

Ajo shtoi se institucioni që drejton nuk do të mbështesë asnjë ndërtim të paligjshëm, por do të vlerësojë çdo rast në përputhje me ligjin dhe të drejtat e individit.

ME TE LEXUARAT