Sezoni turistik/ Nisin inspektimet në terren, kryeinspektori Sula në Shëngjin: Nuk do të ketë tolerime për shkeljet…

Zonat turistike në Lezhë do të jenë në monitorim të vazhdueshëm nga inspektoratet për të garantuar zbatimin e ligjit në të gjithë sektorët që ato mbulojnë. Kështu u shpreh nga Shëngjini Kryeinspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror, Dashnor Sula, gjatë një takimi me strukturat rajonale në Lezhë. Zaptimi i hapësirave publike, siguria në plazhe dhe siguria ushqimore do të jenë në fokus të punës së inspektoriateve, ku nuk do të ketë tolerime ndaj shkeljeve, u shpreh Sula.
“Unë do të doja t’i tërhiqja vëmendjen të gjithë inspektorateve rajonale të Lezhës që nuk duhet të tolerojmë individë apo subjekte të caktuara që abuzojnë drejtpërdrejt me ligjin, në kurriz të interesave publike të qytetarëve të Lezhës.
Ka qenë gangrenë në këtë qark, hapësira publike dhe plazhet publike për qytetarët dhe që subjekte të caktuara ndoshta me prapavija të forta politike apo ekzekutive kanë krijuar një shqetësim të madh për qytetarët sa i përket zaptimit të plazheve publike” tha Sula.
Me nisjen e sezonit turistik është ngritur një task-forcë e posaçme për monitorimin e zonave turistike. Gjatë këtij takimi u përcaktuan detyra të qarta për çdo inspektoriat, me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe garantimin e një sezoni turistik të suksesshëm.
“Ky është viti i 3-të i një task force të veccantë që përfshin edhe Bashkinë e Lezhës dhe institucione të tjera, duhet të jenë në monitorim të përditshëm të situatës sa i përket zaptimit të plazheve publike. S’duhet të lejojnë që zonat e përcaktuara për pushim dhe notim duhet të jenë të sigurtë dhe të mos lejohet asnjë motor uji apo jet-ski” shtoi ai.


