Senati miraton kandidaturën e Eric Wendt për ambasador në Shqipëri

Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit amerikan ka miratuar këtë të enjte kandidaturën e Eric Wendt si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Shqipëri, me 19 vota pro nga 22. Mbështetja erdhi nga senatorë të të dyja partive, duke i hapur rrugën konfirmimit në seancën plenare.
Gjatë seancës dëgjimore më 20 maj, Wendt u pyet për rolin e SPAK-ut, investimet amerikane dhe bashkëpunimin strategjik në fushën e sigurisë. Me mbi 34 vite shërbim aktiv, ai ka mbajtur pozicione të larta në ushtri dhe diplomaci, përfshirë rolin e Koordinatorit të Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez në Ambasadën e SHBA-ve në Jerusalem.
Departamenti i Shtetit e cilëson Wendt si një kandidat të kualifikuar, falë përvojës në lidership dhe njohjes së rajonit evropian. Ai ka studiuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, dhe në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, duke zotëruar gjithashtu gjuhën arabe dhe koreane. Për kontributin e tij është dekoruar me disa nga medaljet më prestigjioze të shërbimit ushtarak dhe diplomatik amerikan.