Sekuestrohen 19 mijë euro të padeklaruara në Portin e Durrësit, po transportoheshin drejt Italisë

Një shumë prej 19 mijë eurosh të padeklaruara është sekuestruar në Portin e Durrësit gjatë kontrolleve të ushtruara nga Dogana Durrës në bashkëpunim me Policinë Kufitare.
Sipas njoftimit zyrtar, paratë u zbuluan mbrëmjen e së martës në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë, përpara imbarkimit të pasagjerëve në linjën Durrës-Bari.
Autoritetet bëjnë me dije se shuma prej 19 mijë eurosh nuk ishte deklaruar sipas procedurave ligjore, ndaj u sekuestrua nga shërbimet doganore.
Rasti është referuar pranë organeve kompetente për veprime të mëtejshme, ndërsa kontrollet në Portin e Durrësit vijojnë me intensitet në kuadër të masave për parandalimin dhe goditjen e shkeljeve doganore.
Sipas Doganës Durrës, operacionet në terren do të vazhdojnë pa ndërprerje me synim garantimin e zbatimit të legjislacionit doganor dhe luftën ndaj çdo tentative abuzive në pikat kufitare.


