Rreziku i vapës për të sëmurët kronikë, mjeku paralajmëron: “Hidratohuni dhe mos neglizhoni mjekimin”

Temperaturat ekstreme të verës po rëndojnë ndjeshëm gjendjen e pacientëve kronikë në Shqipëri, paralajmërojnë mjekët e QSUT-së. Në Klinikën e Kardiologjisë, pavarësisht që numri i infarkteve nuk është rritur, është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve me insuficiencë kardiake, valvulopati, hipertension dhe probleme të tjera zemre.
Kardiologu Aurel Demiraj shpjegon se një nga arsyet kryesore është neglizhenca ndaj rehidrimit gjatë vapës. “Në të nxehtë, humbja e ujit nga djersitja dhe avullimi është katër herë më e madhe se në periudha të ftohta.
Përveç ujit, humbim edhe kripëra minerale që janë thelbësore për ekuilibrin e organizmit, dhe kjo rëndon punën e zemrës, veçanërisht te pacientët me sëmundje të zemrës,” shpjegon ai.
Mjekët këshillojnë pacientët kronikë të mos nënvlerësojnë rëndësinë e hidratimit dhe të mos neglizhojnë marrjen e medikamenteve, veçanërisht gjatë periudhës së nxehtë.
Ata paralajmërojnë të shmangin ekspozimin në diell në oraret 12:00-16:00, të konsumojnë mjaftueshëm lëngje dhe të kontaktojnë menjëherë mjekun në rast
përkeqësimi të gjendjes.
Në urgjencën e QSUT-së paraqiten rreth 350 raste në ditë, shumica prej tyre me përkeqësime të sëmundjeve kronike, duke treguar se neglizhenca ndaj këtyre kushteve gjatë vapës po shkakton probleme serioze shëndetësore.
Në kushtet e këtyre temperaturave ekstreme, kujdesi dhe përgjegjshmëria e pacientëve janë thelbësore për parandalimin e komplikacioneve dhe ruajtjen e jetës.


