"Revolta kundër shkrirjes/ 15 këshilltarët e Poliçanit paralajmërojnë dorëheqjen, Zotkaj: Turp për Parlamentin

Aktualitet

"Revolta kundër shkrirjes/ 15 këshilltarët e

Këshilli Bashkiak i Poliçanit ka zhvilluar sot një mbledhje emergjente, ku të 15 këshilltarët kanë votuar kundër projektligjit që parashikon shkrirjen e Bashkisë Poliçan dhe bashkimin e saj me Beratin.

Mbledhja, e drejtuar nga kryetarja e Këshillit Bashkiak, Mimoza Lulaj, u zhvillua me qëllim kundërshtimin e propozimit për ndryshimin e ndarjes administrative territoriale.

Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili argumentoi se arsyet e paraqitura nga qeveria për shkrirjen e bashkisë nuk qëndrojnë.

“Do të jetë një turp për Parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”, deklaroi Zotkaj, duke theksuar se ndryshimi i statusit të një bashkie duhet të bëhet me pëlqimin e komunitetit.

Sipas tij, banorët e Poliçanit janë shprehur kundër bashkimit me Beratin. Zotkaj renditi ndër argumentet e tij edhe aktivitetin ekonomik të bashkisë, duke theksuar se në Poliçan operojnë aktualisht 318 biznese, ndërsa zona ka potencial për turizëm malor dhe industrial.

Gjatë mbledhjes, këshilltarët u njohën edhe me raportin e komisionit të ngritur për zhvillimin e dëgjesave publike me qytetarët. Sipas raportit, banorët kanë shprehur kundërshtimin dhe indinjatën e tyre ndaj propozimit për shkrirjen e bashkisë, duke e cilësuar atë si të padrejtë.

Në përfundim të diskutimeve, të 15 këshilltarët bashkiakë deklaruan se do të japin dorëheqjen nëse Parlamenti miraton shkrirjen e Bashkisë Poliçan.

Më pas, projektligji për Ndarjen Administrative Territoriale, që parashikon bashkimin e Poliçanit me Beratin, u hodh në votim dhe u rrëzua me 15 vota kundër.

ME TE LEXUARAT