Reforma territoriale/ Bashkitë kërkojnë ndërhyrjen e Këshillit të Europës

Reforma Administrativo-Territoriale është diskutuar sot në një takim mes Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë dhe përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
Përfaqësuesit e Shoqatës kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me mënyrën se si është zhvilluar procesi, duke kërkuar që çdo ndryshim i hartës territoriale të mbështetet në standardet europiane, konsultimin me qytetarët dhe një konsensus sa më të gjerë.
Në takimin me Claudia Luciani dhe Carolin Dubois-Leinihan, Shoqata ka theksuar se qëndrimi i saj nuk lidhet me mbështetjen e një harte specifike, por me mënyrën se si po zhvillohet reforma.
Presidenti i Shoqatës, Fisnik Qosja, e ka cilësuar qëndrimin institucional dhe jo politik.
“Po mbrojmë interesat e qytetarëve dhe jo të politikës”, është shprehur Qosja, duke shtuar se një proces i plotë konsultimi nuk e pengon reformën, por i jep asaj legjitimitet dhe qëndrueshmëri.
Zv.presidenti Albert Malaj ka renditur tre shqetësime kryesore: përmbylljen e procesit parlamentar pa u realizuar të gjitha fazat e parashikuara, mungesën e konsultimit konkret për propozimin e shkrirjes së 15 bashkive dhe mungesën e një konsensusi të gjerë në nivel vendor.
Sipas Shoqatës, nuk janë zhvilluar disa prej mekanizmave të parashikuar, përfshirë raundet e mëtejshme të konsultimit, sondazhin publik, publikimin e kritereve dhe alternativave, si dhe konsultimin për paketën ligjore.
“Ne nuk u kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë të mbështesin një hartë të caktuar, por të ndihmojnë që procesi të respektojë standardet europiane të konsultimit, pjesëmarrjes dhe demokracisë lokale”, ka deklaruar Malaj.
Edhe eksperti i nivelit të lartë për Reformën Territoriale-Administrative, Ylli Asllani, e ka cilësuar procesin të njëanshëm. Sipas tij, disa prej aktiviteteve të parashikuara nuk janë realizuar, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e dëgjesave me qytetarët, veçanërisht në Bashkinë e Tiranës.
“Po bëhet një reformë pa pyetur qytetarët. Është një prerje e hartës pa asnjë analizë”, ka deklaruar Asllani.
Në takim është ngritur edhe çështja e Bashkisë Fushë-Arrëz. Përfaqësuesi i saj, Hilë Curri, ka deklaruar se komuniteti ka votuar kundër shkrirjes së bashkisë dhe ka kërkuar që qëndrimi i banorëve të merret në konsideratë.
Në përfundim, Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë i ka kërkuar Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të shqyrtojë dokumentacionin, konsultimet e zhvilluara dhe qëndrimet e bashkive e komuniteteve.
Sipas Shoqatës, debati për reformën nuk lidhet vetëm me numrin apo kufijtë e bashkive, por edhe me shërbimet publike, përfaqësimin dhe autonominë vendore.


