“Rama në burg, Berisha në burg”/ Thirrje kundër gjithë klasës politike në protestën për Zvërnecin

Protesta e pestë kundër projektit turistik në Zvërnec është shoqëruar me mesazhe të forta kundër klasës politike në Shqipëri, teksa qytetarët kanë nisur marshimin nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.
Mes pankartave dhe thirrjeve kundër projektit, protestuesit kanë brohoritur në kor për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa nuk kanë kursyer as liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Rama në burg, Berisha në burg”, ishte një nga thirrjet që u dëgjua gjatë marshimit, duke reflektuar pakënaqësinë e një pjese të protestuesve jo vetëm ndaj qeverisë, por ndaj gjithë klasës politike.
Organizatorët kanë theksuar se protesta është qytetare dhe synon kundërshtimin e projektit në Zvërnec, duke kërkuar ndalimin e ndërtimeve në zonën e mbrojtur, transparencë mbi investimin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Marshimi vijon drejt Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe të paraqiten kërkesat e protestuesve.


