Rama: Do rrisim kapacitetet për arsimin profesional, të gjitha shkollat të kenë teknologji moderne

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot një takim me kryebashkiakët e vendit, ku fokusi i diskutimeve janë sfidat e bashkive për 2026, sezonin turistik dhe “betejat e politike e shoqërore” kundër mbetjeve plastike. Rama u ndal edhe tek arsimi profesional duke theksuar se ka ardhur koha për standarde më të larta.
”Duhet të krijojmë kushte të shkëlqyera për arsimin profesional. Elektricistët e rinj mësojnë zanatin nga një mjeshtër që vizaton procesin në dërrasa të zeza, por tani ka ardhur koha për standarde më të larta. Konviktet duhet të jenë hotele dinjitoze për të gjithë nxënësit që vijnë nga zona të thella dhe familje me të ardhura të ulëta, ku ata të ndihen të respektuar dhe të mbështetur, duke promovuar formimin profesional dhe respektin shoqëror.
Do t’ju ftoja të mendonit sa më parë dhe të sillnit propozime konkrete për arsimin profesional. Të gjitha shkollat kanë laboratorë, por një klasë e shkollës profesionale duhet të jetë e pajisur me teknologji moderne. Kjo do të rrisë kapacitetet dhe cilësinë e arsimit profesional,” tha Rama


