Itali/ Kapet me 414 kg kanabis shqiptari, droga kap vlerën e mbi 4 milionë eurove

Aktualitet
Itali/ Kapet me 414 kg kanabis shqiptari, droga kap vlerën e mbi 4

Një 29-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, pasi iu gjetën dhe sekuestruan mbi 414 kilogramë kanabis, me një vlerë të përllogaritur prej më shumë se 4 milionë eurosh.

Sipas mediave italiane, droga u sekuestrua në Guidonia dhe dyshohet se ishte gati për t’u shpërndarë në qendrat e trafikimit të drogës në Romë dhe në provincat përreth.

29-vjeçari u ndalua nga autoritetet teksa po përpiqej të ngarkonte disa valixhe të mëdha në bagazhin e automjetit të tij. Gjatë kontrollit, policia gjeti brenda valixheve rreth 98 kilogramë kanabis.
Hetimi vijoi pas gjetjes së një grupi çelësash në posedim të të riut. Çelësat rezultuan se hapnin disa ambiente të përdorura si depo në zonën e Guidonias dhe Romës.

Gjatë kontrolleve në këto ambiente, përfshirë edhe një garazh, policia zbuloi pjesën tjetër të drogës. Një sasi e konsiderueshme ishte fshehur brenda frigoriferëve, të cilët ishin përshtatur për t’u përdorur si vende magazinimi.

Në ambientet e kontrolluara u gjetën gjithashtu materiale për paketimin e dozave të drogës, si dhe disa fletë të shkruara me dorë, ku ishin shënuar llogaritje dhe të dhëna për numërimin e lëndës narkotike.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur rrjetin e trafikimit dhe destinacionin e saktë të drogës së sekuestruar.

ME TE LEXUARAT