PS vijon e vetme “Territorialen”, produkti final brenda korrikut, numri i bashkive do të ulet

Aktualitet

PS vijon e vetme “Territorialen”, produkti final brenda korrikut,

Partia Socialiste është e gatshme të vijoje e vetme hartën e re territoriale pas mosdakordësive me opozitën.

Për Vizion Plus, bashkëkryetari socialist Arbjan Mazniku, u shpreh se mazhoranca i ka të qarte hapat që do të ndjekë dhe se në përfundim të këtij sesioni parlamentar produkti final do të jetë gati.

Kërkesa e opozitës për shtyrje të afatit të komisionit deri në tetor sipas Maznikut është manovër që synon dështimin e reformës territoriale. Ndërsa dha dhe arsyen përse produkti final në korrik është i domosdoshëm.

“PD kërkon dështimin e reformës. Nëse nuk kapim korrikun atëherë vonohemi 8 vite”, tha Mazniku.

Mazniku bëri me dije se javën e ardhshme, të majtët do të kenë gati gjetjet e komisionit së bashku me hartën e re.

“Do ta kemi gati produktin brenda javës së ardhshme së bashku me hartën e re”, tha ai.

Ndonëse bashkëkryetari socialist nuk dha një shifër për numrin e bashkive që pritet të dalë nga komisioni i posaçëm i reformës territoriale, burime nga Partia Socialiste shprehen se bëhet fjalë për reduktim nga 64 bashki në 40 deri në 50 bashki.

ME TE LEXUARAT