Protestë për gjendjen në Gaza, aktivistja Greta Thunberg mbërrin sot në Tiranë

Sot, më 23 korrik 2025, në orën 18:00, në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, do të zhvillohet një protestë në mbështetje të Palestinës, e cila pritet të marrë një vëmendje të veçantë me pjesëmarrjen e aktivistes së njohur Greta Thunberg.
Në një videomesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Thunberg konfirmoi ardhjen në Shqipëri, duke theksuar gjendjen dramatike në Rripin e Gazës.
“Ata po përdorin fuqinë e fundit që u ka mbetur për të bërë thirrje ndaj botës që të zgjohet dhe të zgjedhë anën e drejtë,” – u shpreh ajo, duke i ftuar qytetarët shqiptarë t’i bashkohen protestës për t’i dhënë zë një kauze humane.
Sipas saj, protesta synon të dënojë pushtimin e paligjshëm, aparteidin dhe gjenocidin që Izraeli po ushtron ndaj popullit palestinez, ndërsa situata në Gaza ka hyrë në fazën e pestë të kequshqyerjes, një nivel alarmi i njohur nga organizatat ndërkombëtare për mungesën ekstreme të ushqimit.
Greta Thunberg është një nga zërat më të fuqishëm në arenën globale për drejtësi sociale dhe mjedisore. Në fillim të qershorit ajo u ndalua nga autoritetet izraelite, pasi mori pjesë në një anije humanitare që po tentonte të dërgonte ndihma në Gaza. Pas shpalljes “non grata”, ajo u riatdhesua menjëherë.
Prania e saj në Tiranë pritet të sjellë një mesazh të fortë solidariteti dhe të rrisë ndërgjegjësimin për dramën humanitare që po zhvillohet në Lindjen e Mesme.


