Protesta dhe dhuna para Kuvendit/ Komiteti i Helsinkit deklaratë: Të respektohen dhe hetohen garancitë ligjore…

Aktualitet

Protesta dhe dhuna para Kuvendit/ Komiteti i Helsinkit deklaratë: Të

Në një deklaratë zyrtare Komiteti i Helsinkit ka reguar lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë para Parlamentit, e cila u shoqërua me tensione e përplasje, ku pati edhe shoqërime.

Në deklaratën zyrtare kërkohet qartë që të respektohen, hetohen garancitë ligjore të përdorimit të lëndëv kimike si edhe shoqërimit dhe arrestimit në flagrancë të protestuesve para Kuvendit

DEKLARATË PËR SHTYP –

TË RESPEKTOHEN DHE HETOHEN GARANCITË LIGJORE TË PËRDORIMIT TË LËNDËVE KIMIKE, SHOQËRIMIT DHE ARRESTIMIT NË FLAGRANCË TË PROTESTUESVE PARA KUVENDIT

Dy vëzhgues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit zhvilluan një monitorim në Komisariatin e Policisë nr.1 (dt.23 Korrik) dhe Bllokun e Sigurisë “Mine Peza” (ditën e sotshme), mbi respektimin e procedurave të ndjekura nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve dhe aktivistëve të shoqëruar dhe arrestuar në ambientet e këtyre institucioneve, gjatë dhe pas protestës së zhvilluar para Kuvendit ditën e djeshme (23 Korrik 2026).

Sipas deklarimeve të disa protestuesve të intervistuar nga KShH në Komisariatin e Policisë nr.1, ata janë shoqëruar nga forcat e policisë ndërkohë që ndodheshin në trotuar, pa bllokuar qarkullimin rrugor, pa tentuar të çanin gardhin metalik, pa ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë. Gjithashtu, ata pohuan se janë shoqëruar pa u informuar për arsyen e shoqërimit, janë prangosur gjatë transportit në Komisariat, ndërkohë që dy prej tyre pohojnë se janë trajtuar në mënyrë poshtëruese para dhe gjatë shoqërimit në automjetin e policisë[1].

KShH konstatoi se në regjistrin e personave të shoqëruar arsyet e shoqërimit shënoheshin në mënyrë të përgjithshme, si “veprime të dhunshme në protestë” ose “veprime të kundërligjshme në protestë”, pa specifikuar shkakun konkret ligjore të shoqërimit, siç kërkohet nga legjislacioni në fuqi (neni 19/1 i Ligjit nr.82/2024). Në një rast u evidentua tejkalimin i afatit maksimal të shoqërimit sipas nenit 19/2 të Ligjit nr.82/2024.

Shqetësim përbëjnë edhe deklaratat kontradiktore të oficerëve të policisë gjyqësore të Komisariatit nr.1 që sillnin mbivendosje dhe paqartësi të statuseve të protestuesve, të cilët bazuar edhe në dokumentacionin e konsultuar (raport shërbimi, regjistri i personave të shoqëruar apo procesverbali i kapjes në flagrance dhe veprimet e mëtejshme që do kryheshin me to për marrjen e deklarimeve) herë trajtoheshin si të shoqëruar, herë si persona në hetim dhe herë si të arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprës penale.

KShH vëren me shqetësim se kufizimi i lirisë, qoftë edhe përkohësisht në statusin më të lehtë si person i shoqëruar në një Komisariat Policie (njohur ndryshe si ndalim i përkohshëm), deri në 5 orë , duhet të jetë masa e fundit dhe nuk mund të përdoret si zëvendësim i masave të tjera më të rënda të kufizimit të lirisë sikurse janë ndalimi dhe arrestimi në flagrancë (afatet e të cilave shkojnë deri në 92 orë).

Këto të fundit ndërlidhen me procedurat e hetimit penal. Marrja në pyetje e këtyre shtetasve gjatë kohës që ata mbanin statusin e të shoqëruarit, si persona që kanë dijeni për veprën penale cenon garancitë e parashikuara nga ligji nr.82/2024[2] dhe neni 295 i Kodit të Procedurës Penale.

Gjatë monitorimit të ditës së sotme në Bllokun e Sigurisë Mine Peza, KShH kontaktoi në cilësinë e personave të arrestuar në flagrancë edhe dy protestues, një grua dhe një burrë (A.I dhe O.P), të cilët dje u kontaktuan nga KShH në statusin e personit të shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.1. Sipas procesverbalit të arrestimit të tyre në flagrancë ka rezultuar që ditën e djeshme, pas largimit të vëzhguesve të KShH-së, në ambientet e këtij Komisariati, ata janë arrestuar kushtet e flagrancës në cenim të nenit 252 të Kodit të Procedurës Penale[3].

Për shtetasin O.P, arrestimi në flagrancë kishte ndodhur, gjashtë ore e gjysëm pas shoqërimit, në tejkalim të afatit të shoqërimit prej 5 orësh të parashikuar në nenin 19/2 të ligjit nr.82/2024[4], ndërkohë arrestimi në flagrancë i shtetaseses A.I ka ndodhur 5 orë e gjysëm pas shoqërimit[5]. Sipas procesverbalit të arrestimit në flagrancë, ata ishin arrestuar për katër vepra penale (262, 274, 293 dhe 237/25 të Kodit Penal), më kryesorja se në bashkëpinim kanë goditur me lëndë piroteknike punonjësit e policisë në krye të detyrë.

Shtetasja A.I, nënë e një të mituri dhe shtetasi O.P, baba i gjashtë fëmijëve të mitur, më i vogli 3 vjeç, pohuan se nuk njiheshin me njëri-tjetrin dhe nuk kishin kryer veprime të dhunshme ndaj policisë[6]. Të dy kërkuan hapje të menjëhershme të kamerave të ambienteve publike ku ata ishin pozicionuar si dhe kamerave të vendosura në trupat e punonjësve të policisë. Edhe pse afati maksimal i qëndrimit me liri të kufizuar, në një ambient nën supervizimin e Policisë së Shtetit nuk duhet të tejkalojë 96 orë[7], duke patur parasysh faktin që këta shtetas janë familjarë dhe prindër të fëmijëve të mitur, KShH konstaton paligjshmëri të arrestit në flagrancë, pasi nuk plotësohen kushtet e flagrancës si dhe vlerëson se seanca për vleftësimin e arrestit në flagrancë duhet të bëhet menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe pa vonesa të mëtejshme nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kjo për arsye se kufizimi i lirisë nëse vlerësohet jo i ligjshëm nga gjykata ka efekt jo të riparueshëm dhe ndikon negativisht në lirinë, dinjitetin njerëzor dhe jetën private e familjare të dy protestuesve,

Monitorimi evidentoi gjithashtu pretendime për përdorim të paparalajmëruar dhe jo proporcional të sprajit me piper. Disa protestues deklaruan se pësuan lëndime dhe djegie serioze pasi mbi ta u zbrazën sasi të konsiderueshme spraji, ndërsa në media janë publikuar pamje që tregojnë se efektet e sprajit kanë prekur edhe persona vulnerabël, përfshirë një grua dhe një të mitur me aftësi të kufizuara[8]. Këto pretendime kërkojnë një hetim të pavarur dhe të plotë për të verifikuar respektimin e parimeve të parlajmërimit, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit në përdorimin e forcës nga policia[9].

Veçanërirsht shqetësues është edhe shoqërimi i gazetares së Citizens.Al që po ushtronte detyrën në terren. Edhe pse ajo i kishte komunikuar punonjësve të policisë se ishte gazetare dhe se bexha e saj ishte shkeputur nga rripi, teksa ishte e dukshme se mbante pajisje profesionale filmimi, ajo u shoqërua në Komisariat pa kryer një verifikim të kujdesshëm aty për aty[10] për identitetin e saj, çka nuk do të kishte sjellë privimin e lirisë së saj. Gjithashtu, ndaj saj u kryen veprime të mëtejshme procedurale të papajtueshme me detyrën e gazetarit që mbron burimin e informacionit, duke u pyetur për marrjen e të dhënave nga personi që ka dijeni për veprën penale (nenet 155 dhe 160 të Kodit të Procedurës Penale).

Gjatë monitorimit u evidentua edhe rasti i protestueseje të re në moshë (J.A), e cila sipas deklarimeve të saj ishte shoqëruar vetëm për shkak se po filmonte zhvillimet e protestës. Ajo dhe dy protestueset e tjera që qëndronin në të njëjtin ambient me të, pretenduan se në ambientet e komisariatit iu ushtrua presion për të fshirë materialet filmike nga telefoni celular. Nëse këto pretendime konfirmohen, ato do të përbënin një cenim serioz të së drejtës për të dokumentuar veprimtarinë e organeve publike në një aktivitet publik dhe me interes të lartë publik, në kuadër të lirisë së shprehjes të mbrojtur nga neni 10/2 i KEDNJ dhe neni 22 i Kushtetutës.

KShH konstatoi gjithashtu kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare në ambientet ku mbaheshin personat e shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr.1, si dhe mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme njerëzore, të oficerëve të policisë gjyqësore për të përballuar numrin e madh të të shoqëruarve afro 20 deri në orën 17:00, të cilët u vërejtën gjithashtu në një klimë të rënduar psikologjike të ushtrimit të detyrës, situatë që ndikon negativisht në mireqenien e tyre fizike dhe mendore si dhe rrit rrezikun e shkeljes së afateve dhe garancive procedural ndaj qytetarëve.

Vlen të theksohet se, KShH mori informacion nga përfaqësuesi i Komisariatit Policisë nr.1 se pesë punonjës policie kanë mbetur të plagosur gjatë protestës dhe se po hetohen raste të përdorimit të lëndëve piroteknike ndaj tyre. KShH përsërit qëndrimin e kahershëm se çdo akt dhune ndaj punonjësve të policisë është i papranueshëm në një shoqëri demokratike dhe duhet të hetohet në mënyrë të plotë dhe autorët të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit.

KShH u bën thirrje Policisë së Shtetit, Autoritetit për Mbikëqyrjen Policore, Prokurorisë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë që në përputhje me kompetencat e tyre ligjore:

të verifikojnë menjëherë dhe pa vonesa ligjshmërinë e çdo shoqërimi dhe arrestimi të kryer gjatë protestës;

të hetojnë në mënyrë të pavarur pretendimet për përdorim joproporcional të forcës, keqtrajtim dhe ushtrim presioni ndaj personave të shoqëruar;

të garantojnë respektimin e afateve dhe procedurave të parashikuara nga ligji për personat e shoqëruar, ndaluar dhe arrestuar në flagrancë;

të respektojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e gazetarëve dhe qytetarëve për të dokumentuar ngjarje me interes publik, pa u penguar apo pa iu kërkuar fshirja e materialeve filmike jashtë rasteve të parashikuara nga ligji;
të sigurojnë që çdo hetim për dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të policisë apo nga punonjësit e policisë të zhvillohet në mënyrë të paanshme, të plotë dhe transparente.

KShH gjen rastin të sjellë në vëmendje të Policisë së Shtetit se pretendimet për keqtrajtim dhe për përdorim të paligjshëm të forcës, ngarkojnë autoritetin përkatës me detyrime të veçanta provuese sipas nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Në këto raste, autoritetet kanë detyrimin të paraqesin një shpjegim bindës e të mbështetur në prova, për origjinën e lëndimeve.

Për këtë arsye, KShH rekomandon që kamerat trupore të punonjësve të policisë të angazhuar në operacione për ruajtjen e rendit publik gjatë tubimeve të jenë të aktivizuara në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë për të gjithë kohëzgjatjen e ndërhyrjes, përfshirë momentin e përdorimit të lëndëve kimike, të shoqërimit, të prangosjes dhe të transportit.

[1] I janë shkulur flokët protestueses me iniciale J.A dhe është ofenduar dhe gjuajtur me shpulla në makinën e policisë protestuesi me iniciale O.P

[2] Sipas nenit 19, pika 2 të ligjit nr.82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, në rastin e ndalimit të përkohshëm policor nuk zbatohen të njëjtat masa me ato për personin e ndaluar ose të arrestuar. Ndalimi i përkohshëm policor fillon që në momentin kur punonjësi ndalon personin dhe zgjat deri në sqarimin e çështjes, por në asnjë rast më shumë se 5 orë.

[3] Është në gjendje flagrance ai që është kapur në kryerje e sipër të veprës penale ose ai që menjëherë pas kryerjes së veprës ndiqet nga policia gjyqësore, nga personi viktimë ose nga persona të tjerë ose që është kapur me sende dhe prova e materiale, nga të cilat duket se ka kryer veprën penale.

[4] Shoqëruar në orën 11:00 dhe arrestuar në flagrancë në orën 18:30

[5] Raporti i shërbimit ka si orë 12:00 shoqërimin nga vendi i protestës ndërkohë që është arrestuar në flagrancë në orën 17:30

[6] Shtetasja A.I pohoi se kishte hedhur vetëm dy domate ndaj makinës së deputetit dhe se në çantën e saj ishin gjetur kapsolla të cilat nuk janë përdorur.

[7] Neni 28/2 i Kushtetutës “Personi, të cilit i është hequr liria sipas nenit 27, paragrafi 2, nënparagrafi “c”, duhet të dërgohet brenda 48 orëve përpara gjyqtarit, i cili vendos paraburgimin ose lirimin e tij jo më vonë se 48 orë nga çasti i marrjes së dokumenteve për shqyrtim”

[8] Protesta/ I hidhet sprajt me piper, “shpërthen” në lot i mituri me aftësi ndryshe – Vizion Plus

[9] Nenet 32/2 dhe 32/3 të Ligjit nr.82/2024.

ME TE LEXUARAT