Pogradec/ Policia “befason” 44-vjeçarin, i gjendet armë automatike dhe municion në dy banesat

Një 44-vjeçar është arrestuar në Pogradec, pasi gjatë kontrollit në dy banesat e tij, në lagjen nr. 3 dhe në fshatin Vërdovë, iu gjet një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
Në operacionin e koduar “Befasia” u arrestua në flagrancë Besnik Baçi për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë Pogradec:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Befasia”
Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje. Arrestohet një 44-vjeçar, të cilit iu gjetën në banesë një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
Sekuestrohen arma e zjarrit dhe municioni luftarak.
Si rezultat i punës parandaluese, bazuar në kontrolle, hetime dhe informacione operative, për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, specialistët e Komisariatit të Policisë Pogradec finalizuan operacionin policor të koduar “Befasia”.
Si rezultat, u ushtrua kontroll në dy banesat që shtetasi B.B. ka në lagjen nr. 3, Pogradec, dhe në fshatin Vërdovë, Pogradec, ku u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, së bashku me municion luftarak, të cilat ai i posedonte pa leje.
Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi B.B. 44 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


