Stuhia e fortë godet Greqinë, përmbyten banesa dhe shkatërrohet një pjesë e rrugës

Një stuhi e fortë ka goditur pasditen e së shtunës, 15 gusht, zonën e Alypës në Mani të Greqisë, duke shkaktuar probleme të shumta dhe dëme materiale.
Reshjet intensive kanë përfshirë zonën brenda një kohe të shkurtër, ndërsa rrugët janë shndërruar në përrenj nga sasia e madhe e ujit. Intensiteti i reshjeve ka shkaktuar edhe përmbytje në disa banesa, ku uji ka arritur deri pranë dritareve dhe ka depërtuar në disa ndërtesa.

Situata ka sjellë vështirësi për banorët dhe vizitorët që ndodheshin në zonë, ndërsa një pjesë e rrugës kryesore të fshatit, me gjatësi rreth 20 metra, është dëmtuar rëndë dhe është shkatërruar plotësisht.
Rruga kryesore e fshatit është mbuluar nga uji, i cili ka zbritur me shpejtësi dhe forcë të madhe, duke krijuar një situatë të pazakontë për periudhën e verës.
Autoritetet lokale po vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga stuhia, ndërsa banorët dhe vizitorët janë përballur me pasojat e reshjeve të dendura.


