Ç'po ndodh në Fushë-Arrëz? 120 banorë dërgohen në spital me shenja helmimi nga uji i pijshëm

Rreth 120 banorë të Fushë-Arrëzit i janë drejtuar Qendrës Shëndetësore të qytetit gjatë katër ditëve të fundit, pasi kanë shfaqur simptoma që dyshohet se lidhen me konsumimin e ujit të pijshëm.
Banorët kanë ngritur shqetësimin për cilësinë e ujit, duke deklaruar se prej ditësh ai ka një erë të rëndë. Pas denoncimeve, strukturat e Shëndetit Publik dhe të Higjienës kanë marrë mostra nga uji që furnizon banesat e qytetarëve.
Kampionet pritet t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar nëse uji është i kontaminuar, ndërsa deri më tani nuk ka një rezultat zyrtar.
Për situatën ka reaguar edhe nënkryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Mikel Qafa. Sipas tij, përgjegjësia për furnizimin me ujë i përket Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër.
Ndërkohë, prej ditësh pa një zgjidhje konkrete, banorët janë detyruar të gjejnë alternativa për furnizimin me ujë. Shumë prej tyre po mbushin bidonët në krojet e zonës, në pamundësi për të përdorur ujin që u vjen në rubinet.


