Po kultivonte bimë narkotike në banesë, arrestohet në flagrancë 62-vjeçari në Krujë

Një 62-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Krujës, pasi u kap në një parcelë ku kishte kultivuar bimë të dyshuara narkotike.
Operacioni policor i koduar “Baruni” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve në zonën e quajtur “Skahide”, lagjja Barun, Krujë, efektivët konstatuan një parcelë të mbjellë me bimë të dyshuara cannabis sativa. Në momentin e ndërhyrjes, në parcelë u kap pronari i saj, shtetasi me inicialet E. P., 62 vjeç, banues në Krujë, i cili u arrestua në flagrancë.
Bimët narkotike të gjetura në parcelë u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia bën me dije se kontrollet në territorin e Krujës do të vijojnë me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.


