“Bisedimet me Iranin janë si një lojë shahu”, Teherani i përgjigjet Trump: Jemi lojtarë profesionistë

Irani i është përgjigjur deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili e krahasoi luftën me Teheranin me një “lojë shahu”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ismail Baghaei, tha se iranianët janë “lojtarë shahu profesionistë” dhe se kanë treguar aftësitë e tyre si në negociatat zyrtare, ashtu edhe në komunikimet diplomatike.
“Qoftë gjatë negociatave zyrtare, qoftë në negociatat në korridore, iranianët kanë treguar se janë lojtarë shahu profesionistë”, deklaroi Baghaei gjatë konferencës së përjavshme për shtyp.
Reagimi i tij erdhi pasi Trump tha në një intervistë se kriza me Iranin do të zgjidhej dhe e krahasoi situatën me një lojë shahu.
“Do të zgjidhet. Në fund gjithçka zgjidhet. Është si një lojë shahu”, ishte shprehur presidenti amerikan.
Baghaei përdori gjithashtu një gjuhë të ashpër ndaj Uashingtonit, duke deklaruar: “Nuk duhet të shpresoni se nuk do të ndoteni kur luftoni me derrat. Në fund të fundit, ndonjëherë kjo është pjesë e betejës që ju është imponuar”.
Zëdhënësi iranian përsëriti se aktualisht nuk ka negociata të drejtpërdrejta mes Teheranit dhe Uashingtonit, por vetëm “shkëmbime mesazhesh” përmes ndërmjetësve.
Sipas tij, bisedimet mund të rifillojnë vetëm pasi Shtetet e Bashkuara të ndalojnë shkeljet e marrëveshjes dhe të plotësohen kushtet e kërkuara nga pala iraniane.
Baghaei foli edhe për situatën në trafikun detar, duke theksuar se për sa kohë vazhdojnë tensionet, nuk ka garanci se janë krijuar kushtet e nevojshme për një lundrim të sigurt ndërkombëtar.
“Si rregull, kur ofroni shërbime detare, domosdoshmërisht merrni diçka në këmbim”, deklaroi ai, në një referencë që lidhet me kushtet e Iranit për garantimin e lundrimit në rajon.