Përplasje e tensione në Rrajcë, banorët u kërkojnë llogari deputetëve

Aktualitet

Përplasje e tensione në Rrajcë, banorët u kërkojnë
Dëgjesa publike e zhvilluar në Rrajcë në kuadër të konsultimeve për Reformën e Re Territoriale është shoqëruar me debate dhe tensione, ndërsa një pjesë e banorëve kanë braktisur takimin në shenjë proteste.

Takimi ishte parashikuar si një proces konsultimi me komunitetin për ndryshimet e mundshme në organizimin territorial dhe të ardhmen administrative të Bashkisë Prrenjas. Por diskutimet u përshkallëzuan pasi banorët kërkuan nga deputetët socialistë të zonës, Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici, një qëndrim të qartë lidhur me variantet e propozuara të reformës.

Banorët e Rrajcës shprehën shqetësimin se çdo ndryshim që do të çonte në shkrirjen apo riorganizimin e njësive vendore mund të ndikonte në ofrimin e shërbimeve publike, përfaqësimin e komunitetit dhe aksesin e qytetarëve në administratë.


Gjatë diskutimeve, ata kërkuan që deputetët e maxhorancës të deklaronin hapur nëse janë pro apo kundër planit të ri territorial, duke argumentuar se një riorganizim i tillë mund të thellonte problemet e zonave periferike dhe të rriste distancën e qytetarëve nga shërbimet administrative.

Përballë këtyre kërkesave, deputetët Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici nuk dhanë një qëndrim përfundimtar pro ose kundër variantit të Reformës Territoriale, duke argumentuar në thelb se procesi është ende në fazën e konsultimit.

ME TE LEXUARAT