Përgjysmimi i flotës së autobusëve/ Fluks qytetarësh, dhe pritje të gjata në stacion deri në një orë

Kjo e mërkurë e ka gjetur qytetin me një përgjysmim të flotës së autobusëve, duke sjellë fluks qytetarësh në stacione dhe pritje më të gjata. Operatorët thonë se situata vjen nga kostot e larta dhe mungesa e mbështetjes, ndërsa ende nuk ka reagim nga institucionet.
“10-15 minuta, sot shkoi gjysmë ore, nga Ali Demi. Do presim, unë nuk eci dot në këmbë. E kisha dëgjuar, po nuk mendova se do e bënin, shumë gjëra s’i besojmë derisa na ndodhin”, thotë një qytetar.
“Kam shkuar në Durrës, kam prit një orë atje, edhe prap një orë në autobus, s’ka, nuk pyet kush për ne. Dy orë jam në autobus, unë kam ardhur prej Kukësi në Institut, prej instituti në Ali Dem dy orë. Madje i thashë faturinos, të na kishte prerë edhe hotel”, shprehet një tjetër.
Ditën e mërkurë, nga rreth 200 autobusë për afro 50 linja transporti, kanë operuar vetëm 115 prej tyre. Ky vendim për reduktimin e autobusëve erdhi nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe mosmarrjes së masave nga qeveria për subvencionim.
“Sot kemi 40%, nesër mund të shkojë edhe më shumë. Nuk kemi informacion nëse kërkesat tona po merren për bazë”, thotë kreu i Shoqatës së Transportit Urban, Dashnor Memaj.
Shoqatat e transportit paralajmërojnë për përshkallëzim të reduktimit të numrit të autobusëve në rast se institucionet nuk reagojnë për miratimin e kërkesave të tyre.


