“Për ne pushteti i tij, ka marrë fund”/ 22 ditë protestë, aktivistja: Rama është autokrat, s’ka negociata me të

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, e ftuar në nje studio televizive, ka folur mbi ecurinë e protestave masive që po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera ku kërkohet largimi i kryeministrit Edi Rama, teksa sot zhvillohet protesta e 22-të radhazi.
Vatnikaj sqaroi se gjithçka nisi tre javë më parë pas një akti dhune në Zvërnec, gjë që nxiti një reagim të menjëhershëm qytetar.
“Pati një reagim të menjëhershëm të njerëzve që kuptuan se shteti që ne supozojmë se ekziston ka rënë në duart të të fortëve që nëse nuk reagojmë do na dhunojnë edhe ne.
Nuk e kemi pritur që protesta të ishte kaq masive,” u shpreh ajo, duke shtuar se fillimisht kërkohej dorëheqja e ministrit të Brendshëm, por më pas turma u bë më aktive duke kërkuar largimin e kryeministrit.
Aktivistja vlerësoi solidaritetin dhe organizimin spontan në mbarë vendin, si dhe mbështetjen e madhe nga jashtë kufijve.
“Nga ana tjetër na ka mbushur zemrën edhe protestat që kanë ndodhur në diasporë nga të rinj e të reja që janë larguar nga Shqipëria me kokën pas,” tha Vatnikaj.
Sipas saj, kjo revoltë është vazhdimësi e kauzave të mëparshme kundër korrupsionit shtetëror që varfëron popullin, duke përmendur rastet e Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut.
Ajo theksoi se të rinjtë janë angazhuar fuqimisht sepse janë rritur me idenë e një Shqipërie si Europa, me rregulla demokratike dhe një shtet që i përgjigjet qytetarit.
Lidhur me qëndrimin e kreut të qeverisë, Vatnikaj u shpreh e prerë se nuk ka vend për kompromise.
“Rama është një autokrat që ka betonizuar pushtetin e vet dhe nuk presim reagim tjetër. Nuk ka dialog apo negociatë me të. Sepse për ne pushteti i tij si autokrat ka marrë fund,” deklaroi aktivistja.
Në fund, ajo i cilësoi si shenjë frike dhe papërgjegjshmërie etiketet e kryeministrit ndaj protestuesve, të cilët i ka quajtur “agjentë iranianë apo grekë”.
“Fakti që ai ende nuk po pranon që shoqëria shqiptare po i thotë njëzëri që është koha të ikë dhe po i kërkon drejtësisë të hetojë të gjithë politikanët, mendoj se është një frikë sepse kjo lëvizje masive qytetare nuk është pritur nga ana e tyre,” tha ajo.


