“Non-gratat” nga SHBA, Artan Hoxha: Pas vizitave të McGonigal nisën goditjet ndaj figurave shqiptare

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar zhvillimet e fundit që lidhen me vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit për sanksionimin e disa figurave politike dhe publike në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
Sipas tij, përcaktimi “i papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara” nënkupton bllokimin e vizës për personat që e zotërojnë atë, ose pamundësinë për të aplikuar në të ardhmen. Në analizën e tij, Hoxha renditi disa prej rasteve më të njohura të sanksioneve amerikane.
Ai përmendi ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, ish-deputetin Tom Doshi, ish-kryebashkiakun Vangjush Dako, si edhe ish-deputetin Aqif Rakipi. Sipas gazetarit, këto raste duhen parë në raport me aktivitetin e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili gjatë viteve 2017 dhe 2018 zhvilloi disa vizita në Shqipëri dhe pati kontakte me zyrtarë të lartë të vendit. Z. Hoxha kujtoi se McGonigal u takua disa herë me kryeministrin Edi Rama dhe u përfshi në procese që lidhen me informacione dhe hetime të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara. Ai përmendi gjithashtu një takim të zhvilluar në Vjenë, ku sipas tij morën pjesë një deputet shqiptar, McGonigal dhe një prokuror federal amerikan.
Sipas Hoxhës, pas kësaj periudhe nisën një sërë vendimesh që prekën figura të rëndësishme të politikës dhe institucioneve shqiptare. Ai ngriti pyetjen nëse ekziston një lidhje mes aktivitetit të McGonigal dhe valës së sanksioneve të shpallura nga Uashingtoni. Gazetari u ndal edhe te hetimet e zhvilluara ndaj ish-zyrtarit të FBI-së në SHBA.
Ai kujtoi akuzat sipas të cilave McGonigal kishte marrë para nga një shtetas shqiptaro-amerikan dhe se emri i tij u lidh me disa çështje që përfshinin zhvillime politike në Shqipëri. Në përfundim, Hoxha argumentoi se vendime të tilla kanë pasur ndikim në klimën politike të vendit dhe në marrëdhëniet mes aktorëve kryesorë të skenës shqiptare gjatë viteve të fundit. “Vizitat e McGonigal dhe aktiviteti i tij i dukshëm në Shqipëri fillojnë me vizitën e parë, kur është takuar dhe ka dalë edhe në foto me kryeministrin Edi Rama, ku janë shpërndarë edhe kapele. Një nga ato kapele kam pasur edhe unë mundësinë ta kem në atë kohë. Në shtator të vitit 2017 ai është pritur nga kryeministri Rama dhe ka marrë materiale nga Tirana për çështje që u hapën në FBI. Është rikthyer në Shqipëri në nëntor të 2017-ës. Madje në nëntor të 2017-ës, një deputet, aleat i afërt i kryeministrit Rama, ka dhënë deklarime në prani të McGonigal dhe të një prokurori federal në Vjenë. Në shkurt ai është rikthyer përsëri, në prill më pas ka takuar edhe Ramën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dhe çuditërisht, menjëherë pas këtyre vizitave filluan “non-gratat” në Shqipëri. U godit Prokurori i Përgjithshëm dhe më pas të tjerë me radhë. Një nga dosjet që u hap në atë kohë në Shtetet e Bashkuara lidhej edhe me zgjedhjet. Kjo non grata e Berishës, sipas kësaj analize, i dha mandatin e tretë Ramës, sepse shpartalloi opozitën. “Non-grata” u deklarua pas zgjedhjeve të vitit 2021, por opozita u përça për katër vite, me konflikte për vulën dhe me probleme të brendshme, dhe kjo çoi në mandatin e tretë. Tani, pse McGonigal u kthye një njeri kaq i rëndësishëm për Tiranën? Për shkak të pozicionit që ai kishte.
Vetë fakti i hetimeve të kryera në SHBA tregon se ai ka marrë 225 mijë dollarë kesh në një garazh nga një shtetas shqiptaro-amerikan. Këto lidhen me dosjen e parë që ai hapi kundër liderit të opozitës, i cili në atë kohë ishte Lulzim Basha. Ai u akuzua për lidhje me rusë, skocezë dhe kinezë dhe u godit politikisht nga të gjitha anët, duke hyrë në zgjedhjet e 2021-shit. Rezultati ishte shumë i ngushtë dhe, sipas kësaj narrative, opozita ishte shumë afër fitores, por u ndikua nga grupe kriminale në disa zona, ku u luftua për mandate deputetësh dhe u përmbys rezultati”, u shpreh gazetari Artan Hoxha në një media.


