Sali Berisha pranon se ka lobuar për të hyrë në SHBA, ç’po ndodh me dosjen në SPAK me pagesat marramendëse të…

Aktualitet

Sali Berisha pranon se ka lobuar për të hyrë në SHBA,

Më 19 maj të 2021-shit, sekretari i atëhershëm i shtetit Antony Blinken e shpalli “non grata” Sali Berishën, bazuar në një dosje me prova për përfshirjen e tij në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve publike dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale, dhe pasurimin e aleatëve politik përfshi familjen. 5 vite më pas, Berisha ka mundësinë të hyjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një vendim që do të shënjonte një fitore të rëndësishme për të, duke qenë se prej shpalljes “non-grata”, selia e PD-së ishte zonë e ndaluar për të gjithë zyrtarët e rëndësishëm amerikane që kanë vizituar Shqipërinë. Kjo ishte një pasojë e pashkruar e shpalljes “non-grata” të Berishës për veprimet e tij korruptive. Nga 2021-shi zyrtarët e kanë shmangur e kreun e PD-së, duke takuar përfaqësues të tjerë të partisë, por asnjëherë Berishën, i cili damkën “non-grata”, e kishte edhe në evente të ndryshme të ambasadës amerikane në Tiranë, për të cilat, asnjëherë nuk e pati një ftesë, dhe me gjasë, as nuk do e marrë. Edhe vetë Berisha e ka të qartë, se vendimi i DASH (të enjten e 11 qershorit 2026) është vetëm një përjashtim ndaj ndalimit për të hyrë në SHBA, dhe jo me fshirje e akuzave të rënda të Departamentit të Shtetit. Kur u pyet nga gazetarët gjatë një konference nëse “SHBA-ja ka hequr edhe etiketimet në atë kohë si minues demokracie dhe korrupsion madhor?”, Berisha u përgjigj: “Departamenti i Shtetit deklaroi: se Sali Berisha mund të hyjë në Shtetet e Bashkuara, dhe ky vendim është marrë për interesat e Shteteve të Bashkuara. Pikë”. Vendimi i DASH që prek në fakt vetëm vizën për në SHBA, është jo rastësor, Berisha pranoi për herë të parë se ka lobuar për të ndikuar këtë vendimmarrje. “Lejimi i juaj dhe familjes suaj për të shkuar në Shtetet e Bashkuara, është produkt i lobimit?, u pyet dje Berisha. Ish kryeministri tha se  është një produkt në përputhje të plotë me ligjet që kanë Shtetet e Bashkuara. “Keni lobuar apo jo?”, e pyet gazetari.

Sali Berisha: Mund të bësh çdo përpjekje ti, po në qoftë se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara e konsiderojnë jo të përshtatshme për vendin e tyre, çdo gjë përfundon në hiç. E vetmja pikëpyetje që ngrihet tashmë, është se sa ka paguar Sali Berisha për lobimin, një aktivet i rregulluar me ligj në SHBA, përmes të cilit fitoi vetëm vizën, të cilën siç tha, nuk duket se do ta shfrytëzojë së afërmi. “Unë do shkoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por do ta koordinoj me miqtë e mi udhëtimin. Tani për tani fillon një periudhë pushimesh” tha Berisha.

Sa ka paguar Berisha? Dosja vazhdon të hetohet në SPAK

Në prill 2025 SPAK njoftoi publikisht për mediat se kishte nisur verifikimet si fillim mbi kontratën 6 mln dollarë të lobimit të PD. Partia e Berishës lidhi  një kontratë lobimi me “Continental” për 2 vite, me një parapagesë 750 mijë dollarë. SPAK vazhdon të hetojë për këtë kontratë të dyshimtë dhe të veshur me mister, pasi ajo nuk është financuar nga fondet e partisë por nga një donacion privat jashtë vendit. “Make Albania Great Again”, është fondacioni amerikan, i cili sipas Partisë Demokratike mori përsipër të paguajë 6 milionë dollarët e lobimit në Shtetet e Bashkuara. Ajo është krijuar vetëm 7 ditë para se Flamur Noka të vendoste firmën e tij, në kontratën marramendëse me kompaninë CONTINENTAL, e zotëruar dhe drejtuar nga njerëz pranë presidentit Donald Trump.  Themeluesi i saj është shqiptaro amerikani Nuredin Seci, garantori edhe i kontratës.

Fondacioni, qartazi duket të jetë krijuar për të mbuluar marrëveshjen e lobimit. Kërkesa drejtuar pikërisht kompanisë “Continental Strategy LLC”, ka pasuar menjëherë aktin e krijimit të fondacionit. Sepse vetëm 3 ditë më pas, Seci, mori përgjigjen nga kompania e lobimit se ishte e gatshme të angazhohej në shërbime për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Dhe 5 ditë më pas, më 4 prill Flamur Noka firmos si përfaqësuesi i Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Nga ana tjetër, nuk dihet nëse drejtësia do të shkojë edhe te paratë e hedhura të Berishës për konsulentin amerikan Chris LaCivita. Donald Trump e pagoi 19.2 milionë dollarë për fushatën e fundit. Gjithashtu nuk u sqarua çfarë roli kishte Paul Manafort në fushatën e Partisë Demokratike vitin e kaluar. Paul Manafort, pas triumfit të parë të Trump, u dënua me 4 vite burg, për mashtrim fiskal dhe bankar.

Gjykata Amerikane provoi se paratë që mblodhi nga një lobim në Ukrainë, i kishte fshehur. FBI pati dyshime se Manafort ndau të dhëna të sondazheve për Trump në 2016, me një biznesmen të lidhur me inteligjencën ruse, çfarë çoi në një hetim për ndërhyrjet e Rusisë në fushatën amerikane. Hetimi nuk gjeti lidhje të Trump me rusët, por Manafort vetë u fal nga presidenti amerikan, për t’i shpëtuar hetimit të mëtejshëm. Mesa duket, Manafort gjeti terrenin e ri, Shqipërinë, ku lobimet e huaja, të paregjistruara dhe paratë në të zezë mbeten ende problem i financimit të partive politike.

ME TE LEXUARAT